Mesazhet e vizitës së Ebrahim Raisi në Siri
Ndonëse vizita e presidentit të Republikës Islamike të Iranit në Siri tregon thellimin e bashkëpunimit strategjik dypalësh, ajo përcjell edhe mesazhe për Perëndimin dhe regjimin sionist; mesazhe nga epërsia e frontit të rezistencës përkundër komploteve të mëparshme të boshtit izraelito-arabo-perëndimor e deri te krahët e hapura aktuale të Ligës Arabe për aleatët rajonalë të Iranit.
Sejed Ebrahim Raisi do të vizitojë Sirinë të mërkurën me ftesë zyrtare të presidentit sirian Bashar al-Assad, në krye të një delegacioni të rangut të lartë të zyrtarëve politikë dhe ekonomikë. Gjatë vizitës dyditore në Siri, presidenti iranian dhe delegacioni i tij do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të këtij vendi për mënyrat e konsolidimit dhe forcimit të marrëdhënieve politike dhe zgjerimit dhe përmirësimit të nivelit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve. Gjithashtu, gjatë këtij udhëtimi, presidenti i Republikës Islamike të Iranit do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të biznesmenëve iranianë dhe sirianë dhe do të diskutojë dhe shkëmbejë ide me ta. Takimi dhe biseda me iranianë me qëndrim në Siri dhe vizita në vendet e shenjta të Sirisë janë ndër planet e tjera të vizitës së Sejed Ebrahim Raisi në Siri. Në këtë kontekst, zëvendësi politik i zyrës së presidentit iranian, Muhamed Xhamshidi, në një postim në Twitter shkroi: “Azia Perëndimore ka kaluar një periudhë 12-vjeçare të transformimit jashtëzakonisht të tensionuar gjeopolitik, në të cilën Republika Islamike e Iranit është fituesja përfundimtare dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë humbësi përfundimtar. Festimi i fitores së rezistencës do të mbahet gjatë vizitës së Raisit në Siri. Mëshira e Zotit qoftë mbi Haxh Kasem Sulejmani, i cili u mësoi të gjithëve se fuqia në terren është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në diplomaci".
Duhet theksuar se vizita e Sejed Ebrahim Raisi në Siri do të jetë vizita e parë e një presidenti të Republikës Islamike të Iranit në Siri që nga viti 2011, kur filloi kriza në këtë vend. Vizita e fundit e një presidenti iranian në Siri daton në ditët e fundit të vitit 2008. Nga ana tjetër, Bashar Asad, presidenti i Sirisë, ka bërë dy vizita në Iran. Në vizitën e tij të fundit, e cila u zhvillua në mes të majit 1401, Bashar Asad u takua me liderin suprem të Revolucionit Islamik. Siç pritej, kjo vizitë ka shtuar frikën te sionistët dhe pas jehonës së vizitës së afërt të Sejed Ebrahim Raisi në Siri, po vërejmë një valë analizash shqetësuese nga mediat e këtij regjimi.
Disa burime të lajmeve të regjimit sionist kanë shprehur shqetësim të madh se kjo vizitë është një vizitë e jashtëzakonshme dhe për këtë duhet të shqetësohen autoritetet izraelite. Duke iu referuar ndikimit të vizitës së ardhshme të presidentit të Republikës Islamike të Iranit në zhvillimet dhe marrëdhëniet rajonale, kanali 13 i regjimit sionist shkruan: "Irani dëshiron të bashkojë boshtin Iran-Hezbullah-Hamas-Xhihadi Islamik dhe kjo bëhet shkak që Teherani të miratojë një program të ri në lidhje me politikën e Lindjes së Mesme". Ky rrjet iu referua edhe vizitës së ministrit të jashtëm të Iranit, Husejn Amir Abdulahjan në Bejrut dhe takimeve të tij me sekretarin e përgjithshëm të Hezbullahut të Libanit, Sejed Hasan Nasrallah dhe me sekretarin e përgjithshëm të lëvizjes Xhihadi Islamik, Zijad Al-Nakhleh dhe e quajti këtë vizitë si "koordinim i qëndrimeve kundër Izraelit".
Ky shqetësim duket edhe në analizën e gazetës izraelite “Jerusalem Post” dhe kjo gazetë sioniste në analizën e publikuar më 1 maj, ka shkruar: “Kjo do të jetë një ngjarje e madhe për shtetin sirian, i cili ka ndërmarrë shumë hapa për të zhvilluar kontakte me vendet e rajoni muajt e fundit". Kjo media izraelite, duke përdorur këtë krahasim se “ministri i jashtëm sirian është bërë turist botëror dhe shkon në Tunizi, Egjipt, Jordani dhe vende të tjera”, ka shkruar: “Udhëheqja e Sirisë, e cila ka pasur takime të ndryshme edhe me vendet e Gjirit Persik si dhe me Rusinë, tani dëshiron të tregojë edhe më shumë se ka mbështetjen e Iranit. Duket se në situatën aktuale, mbështetja e Teheranit për Damaskun është e rëndësishme për Sirinë, e cila dëshiron të kthehet në Ligën Arabe".
Mirëpritja e Ligës Arabe ndaj Sirisë, për të cilën regjimi sionist është i shqetësuar, është për shkak të sukseseve të ushtrisë së qeverisë së Bashar Asad gjatë dekadës së fundit me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë. Dështimi i boshtit izraelito-arabo-perëndimor në përmbysjen e qeverisë popullore të Asadit bëri që ky aks të shembet në mënyrë që tani Jordania të presë ministrat e jashtëm të Egjiptit, Irakut, Arabisë Saudite dhe Sirisë; një ngjarje që flet për dështimin e strategjisë së izolimit të Sirisë. Nga ana tjetër, përmirësimi i marrëdhënieve të Ligës Arabe me Sirinë nuk është i palidhur me rifillimin e marrëdhënieve diplomatike mes Teheranit dhe Riadit; një ngjarje transformuese që hapi edhe nyjën e krizës tetëvjeçare në Jemen.
Prandaj, në javët e fundit, kur tensionet e mëparshme në marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite janë zëvendësuar me marrëdhënie të mira, shumë ekuacione rajonale gjithashtu kanë pësuar transformim. Zhvillimet këto mbi bazën e të cilave, edhe Arabia Saudite dhe fronti mbështetës i Riadit i janë afruar Iranit dhe aleatëve të tij. Në një situatë të tillë, humbës i lojës do të jetë regjimi sionist, i cili gjithmonë ka kërkuar të ndërtojë një “koalicion” rajonal kundër Teheranit duke avancuar projektin e “Iranofobisë”.