Irani të martën dhe të mërkurën rihap zyrat diplomatike në Arabinë Saudite
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit deklaroi: "Në plotësimin e procesit për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të Republikës Islamike të Iranit dhe Arabisë Saudite për rifillimin e marrëdhënieve bilaterale, të martën dhe të mërkurën zyrtarisht do të rihapet ambasada e Iranit në Riad, kryekonsullata e Iranit në Xhida dhe zyra e përfaqësisë së përhershme të Iranit pranë Organizatës për Bashkëpunim Islamik".
Zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit njoftoi se Naser Kanani në lidhje me rihapjen e ambasadës, kryekonsullatës në Arabinë Saudite dhe përfaqësisë diplomatike të Iranit pranë Organizatës për Bashkëpunim Islamik e cila ndodhet në Arabinë Saudite, ka thënë: "Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Riad, kryekonsullata e Iranit në Xhida kanë filluar punën e tyre para dërgimit të haxhinjve iranianë për ceremoninë e Haxhit me qëllim që të lehtësojnë çështjet dhe punët e vizitorëve të vendeve të shenjta ndërsa tani këto përfaqësi diplomatike do të rihapen zyrtarisht me praninë e autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit".
Vlen të theksohet se gjatë bisedimeve të Iranit dhe Arabisë Saudite që u zhvilluan në Pekin të Kinës, më 10 mars 2023, të palët kanë rënë dakord që të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerje 7 vjeçare.