Amir Abdulahjan: Iranin nuk mund ta izolojë askush
(last modified Wed, 07 Jun 2023 10:24:13 GMT )
Qershor 07, 2023 12:24 Europe/Tirane
  • Amir Abdulahjan: Iranin nuk mund ta izolojë askush

Ministri i punëve të jashtme të Iranit iu drejtua SHBA-së dhe disa aleatëve të saj dhe deklaroi se politika e izolimit të Iranit ka dështuar.

Ministri i punëve të jashtme të Iranit, Husejn Amir Abdulahjan (të premten, më 2 qershor) së bashku me ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të lartë të Afrikës së Jugut, Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës, Argjentinës, Bangladeshit, Komoreve, Kubës, Burundit, Kongos, Egjiptit, Gabonit, Guinesë- Bisau, Indonezisë, Kazakistanit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Uruguait morën pjesë në takimin e BRICS, dhe në margjinat e takimit të BRICS Plus në Cape Town, ai zhvilloi takime e bisedime edhe me një numër zyrtarësh të pranishëm, duke përfshirë ministrat e jashtëm të Afrikës së Jugut, Emirateve të Bashkuara Arabe, Rusisë, Arabisë Saudite, Komoreve, Indisë, Brazilit, Gabonit dhe zëvendësministrin e jashtëm të Kubës.

Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se ministri i jashtëm i Iranit, Husejn Amir Abdulahjan, në një intervistë ekskluzive për Press TV, deklaroi se prania aktive e Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, Bashkimin Ekonomik Euroaziatik dhe së fundmi në BRICS tregon se politika për izolimin global të Iranit ka dështuar, ndërsa tha: "Republika Islamike e Iranit është fuqishëm kundër unilateralizmit, por ajo shfrytëzon sa më shumë mundësitë e disponueshme në kuadrin e multilateralizmit".

Lidhur me planet e Iranit për t'iu bashkuar BRICS dhe duke deklaruar se BRICS është një organizatë që fokusohet në forcimin e multilateralizmit, Amir Abdulahjan shtoi: "Ne mund të përdorim kapacitetet e BRICS për të promovuar multilateralizmin në mënyrë që të rrisim tregtinë me vendet anëtare dhe të forcojmë bashkëpunimin ekonomik në dobi të kombi iranian”.

Duke iu referuar takimit me ministrin e jashtëm saudit në margjinat e samitit të BRICS, ministri i jashtëm i Iranit tha se zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik në nivel rajonal mund të garantojë sigurinë e rajonit.

Duke theksuar shfaqjen e një rendi të ri botëror e cili sfidon hegjemoninë e Amerikës, Amir Abdulahjan deklaroi: "Faktorët kryesorë globalë theksojnë në çështjen e multilateralizmit dhe multipolaritetit. Aleancat dhe koalicionet si Këshilli i Bashkëpunimit i Shangait dhe BRICS janë ndër faktorët e rinj me ndikim në rendin e ri botëror".

Vendet e BRICS përbëjnë rreth 42% të popullsisë, gati një të katërtën e prodhimit kombëtar bruto dhe rreth një të tretën e tokës në botë.

Dy nga vendet anëtare të saj (Rusia dhe Kina) janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe tre anëtarë të tjerë (Brazili, India dhe Afrika e Jugut) duan anëtarësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe ndryshimin e strukturës së këtij institucioni ndërkombëtar.