Raisi: Irani ofron mundësi unike për shtetet anëtare të BRICS
(last modified Thu, 24 Aug 2023 19:02:11 GMT )
Gusht 24, 2023 21:02 Europe/Tirane
  • Raisi: Irani ofron mundësi unike për shtetet anëtare të BRICS

Presidenti iranian Ebrahim Raisi deklaroi se Irani ofron mundësi unike për vendet anëtare të grupit BRICS në fushën e tregtisë, energjisë dhe tranzitit.

Duke iu drejtuar samitit "Miqtë e BRICS" në Johanesburg të enjten, Raisi foli për vendimin e BRICS për të pranuar anëtarë të rinj në bllok, duke theksuar se ky vendim do të hapë rrugën për zhvillimin global mbi bazën e drejtësisë. “Përfitimet e anëtarësimit të Republikës Islamike të Iranit në BRICS me siguri do të jenë historike. Do të hapë një kapitull të ri dhe do të përbëjë një hap të ri në drejtim të promovimit të drejtësisë, barazisë, etikës dhe paqes së qëndrueshme në mbarë botën”, tha Presidenti Raisi. Ai theksoi se ndërveprimi maksimal dhe promovimi i mekanizmave të bashkëpunimit shumëpalësh, veçanërisht me vendet e pavarura dhe në zhvillim, është në thelb të politikës së jashtme të Iranit. “Për shkak të vendndodhjes unike të tranzitit, burimeve të shumta energjetike si dhe niveleve të larta të ekspertizës në fusha të ndryshme, përkatësisht prodhimit industrial si dhe teknologjive nano dhe mjekësore, ne deklarojmë gatishmërinë tonë për bashkëpunim, projekte të përbashkëta ekonomike dhe investime me shtetet anëtare të BRICS”, tha Raisi. Presidenti iranian nënvizoi se hegjemonia, padrejtësia, diskriminimi dhe dekadenca morale e kanë vënë botën në një situatë të vështirë dhe të ndërlikuar. “Shfaqja dhe përhapja e problemeve si uria dhe ndryshimet klimatike, mungesa e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe shërbimet mjekësore, pasiguria kibernetike së bashku me kërcënimet ndaj kulturave, vlerave dhe identiteteve janë ndër sfidat që kërkojnë përpjekje dhe konvergjencë për të thelluar diskursin e drejtësisë dhe për krijimin e një sistemi të drejtë mbi bazën e interesave të përbashkëta”, tha Raisi. Ai vazhdoi duke e përshkruar BRICS si një simbol të ndryshimit dhe transformimit në marrëdhëniet globale, i cili mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht pasi besimi global në efikasitetin e këtij grupi po rritet. Raisi deklaroi gjithashtu se Irani mbështet fuqishëm përpjekjet e suksesshme të BRICS për të reduktuar varësinë nga dollari amerikan, përdorimin e monedhave kombëtare si dhe mekanizmat e tij për pagesa dhe shlyerje financiare.