Irani kritikon fiaskon etike të komunitetit ndërkombëtar në Gaza
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i152206-irani_kritikon_fiaskon_etike_të_komunitetit_ndërkombëtar_në_gaza
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë në axhendën e tij gjykimin dhe dhënien e drejtësisë për autorët e krimeve dhe mizorive në Rripin e Gazës të rrethuar.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Nëntor 30, 2023 20:05 Europe/Tirane
  • Irani kritikon fiaskon etike të komunitetit ndërkombëtar në Gaza

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë në axhendën e tij gjykimin dhe dhënien e drejtësisë për autorët e krimeve dhe mizorive në Rripin e Gazës të rrethuar.

Amir-Abdollahian duhej të fliste në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Palestinën të mërkurën, por për shkak të vonesës së Uashingtonit në lëshimin e vizave, delegacioni iranian nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në këtë ngjarje.

Në deklaratën e tij, që do të dorëzohet nga përfaqësuesi i Iranit në Nju Jork në sekretarinë e OKB-së, Amir-Abdollahian qortoi Kombet e Bashkuara në veçanti Këshillin e Sigurimit për dështimin në "përmbushjen e përgjegjësive të tyre ligjore dhe morale ndaj palestinezëve dhe çështjes së Palestinës".

“Dështimi i tillë i ka rrënjët te mbështetja e padiskutueshme që Shtetet e Bashkuara po i japin regjimit pushtues izraelit dhe parandalimi i çdo mase efektive për ta bërë Izraelin të përgjegjshëm".

“Kjo është në fakt një fiasko etike dhe zhvlerësim i ndërgjegjes për komunitetin ndërkombëtar dhe sistemin e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, përgjegjësia kryesore qëndron tek fuqitë që e pengojnë me vendosmëri Këshillin e Sigurimit të përmbushë rolet e tij siç janë parashikuar në Kartën e OKB-së”, tha ai.

Ministri i Jashtëm iranian tha se pritshmëria e natyrshme e komunitetit ndërkombëtar ishte që Këshilli i Sigurimit të ndërmerrte një veprim menjëherë pas fillimit të sulmeve pa dallim në Gaza dhe të parandalonte vrasjen e mëtejshme të njerëzve të pafajshëm.

“Kush mund ta kamuflojë faktin se agresioni i gjithanshëm i regjimit pushtues izraelit kundër Gazës, si një nga rajonet më të dendura të populluara të botës që është nën bllokadë absolute për më shumë se 17 vjet, si dhe vrasja e mijëra të pafajshmëve, më shumë se 70 për qind prej të cilëve gra dhe fëmijë, nuk përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare?

“Intensiteti dhe vëllimi i vrasjeve të civilëve gjatë 50 ditëve të sulmeve joproporcionale në Gaza janë të paprecedentë,” tha ai.

Sipas Amir-Abdollahian, numri i fëmijëve dhe grave të vrarë vetëm në Gaza e kalon shumë numrin total të grave dhe fëmijëve të vrarë në konflikte të ndryshme në mbarë botën gjatë vitit të kaluar, përfshirë luftën në Ukrainë.

“Kush mund ta injorojë realitetin se bombardimi i verbër dhe pa dallim i Gazës me bomba një tonëshe dhe armë të tjera të ndaluara si bomba me fosfor, të cilat nuk bëjnë përjashtim për spitalet, shkollat, xhamitë dhe kishat, përmbajnë të gjithë elementët e krimeve të rënda ndërkombëtare, përfshirë krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit?”

Ministri i Jashtëm iranian tha se Këshilli i Sigurimit dhe anëtarët e tij janë vënë në një provë shumë të rëndë, pasi më shumë se 16,000 banorë të Gazës janë vrarë dhe mbi gjysma e Gazës veriore është kthyer në rrënoja.

Ai tha se "asgjë tjetër përveç garantimit të një ndërprerjeje të plotë të sulmeve kriminale të Izraelit nuk mund të kompensojë pjesërisht turpin moral të bashkësisë ndërkombëtare".

“Duhet të jemi vigjilentë se pauza humanitare, ndonëse pjesërisht e frytshme, të mos kthehet në një mjet për pastrimin e krimeve të së kaluarës dhe krijimin e një mundësie për kryerjen e vrasjeve të reja.

Amir-Abdollahian tha se dhuna është "një mall i imponuar në rajonin tonë si rezultat i pushtimit dhe megalomanisë racore të ideologjisë sioniste".

"Vrasja dhe shfarosja e popullit të Palestinës nuk duhet të normalizohet," paralajmëroi ai.

“Autorët e krimeve nuk duhet të lejohen të luajnë rolin e viktimës dhe të shmangin përgjegjësinë përpara bashkësisë ndërkombëtare.”

Amir-Abdollahian tha gjithashtu se “konsiderimi i luftës legjitime të popullit të Palestinës për të drejtën e tyre për vetëvendosje si terrorizëm është shkelje e hapur dhe e qëllimshme e Kartës së OKB-së dhe normave të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe është e pamoralshme dhe e dënueshme”.

Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të gjitha qeverive që të garantojnë një armëpushim të përhershëm në Gaza, të parandalojnë dëbimin e palestinezëve nga vendlindja e tyre dhe menjëherë të dërgojnë ndihma humanitare si ushqime dhe ilaçe dhe të rilidhin energjinë elektrike dhe karburantin për popullin e Gazës.