Dhjetor 29, 2023 20:06 Europe/Tirane
  • Iran: Katër sabotatorë të lidhur me Mossad-in u ekzekutuan

Katër të dënuar që u shpallën fajtorë për bashkëpunim me agjencinë izraelite të spiunazhit Mossad dhe pjesëmarrje në rrëmbime të armatosura, shantazh dhe sulme ndaj forcave të sigurisë në provincën veriperëndimore të Iranit ,Azerbajxhani Perëndimor, u ekzekutuan të premten.

Sipas Mizan Online, agjencia e lajmeve e Gjyqësorit Iranian, të katër të ekzekutuarit ishin pjesë e një grupi sabotazhi prej dhjetë anëtarësh të lidhur me Mossad-in, objektivi kryesor i të cilit ishte identifikimi i agjentëve të inteligjencës iraniane që po prishnin komplotet izraelite kundër Iranit.

Katër të dënuarit kryesorë të ekipit, duke përfshirë tre burra dhe një grua, u varën të premten në mëngjes me akuzat e "korrupsionit në tokë" dhe " luftës kundër Zotit" përmes bashkëpunimit me Izraelin me qëllim për të minuar sigurinë e Iranit.

Të gjithë ata u gjurmuan dhe u arrestuan pas operacioneve komplekse të inteligjencës dhe vëzhgimit të vazhdueshëm. Raporti i arrestimit të tyre u publikua në tetor 2022.

Kreu i Departamentit të Drejtësisë provinciale Naser Atabati tha më pas se anëtarët e grupit, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të oficerëve të Mossad-it, u udhëzuan të gjenin individë të lidhur me aparatin e sigurisë së Iranit dhe të merrnin informacion prej tyre përmes rrëmbimit, kërcënimeve me vdekje dhe shantazheve brutale.

Ai shtoi se të dënuarit në disa raste kishin marrë para nga agjentët izraelitë dhe oficerët e Mossad-it për detyrat që kishin kryer.

Zyrtari gjithashtu vuri në dukje se të arrestuarit kishin komunikuar me oficerët e Mossad-it përmes telefonatave video dhe kishin kryer akte sabotimi në provincën veriperëndimore të Azerbajxhanit Perëndimor, në kryeqytetin Teheran dhe provincën jugore Hormozgan.

 

Tags