Janar 28, 2024 20:33 Europe/Tirane
  • Irani vendosi me sukses në orbitë tre satelitë njëkohësisht

Irani ka vendosur me sukses në orbitë tre satelitë të prodhuar në  vend në një lartësi minimale prej 450 kilometrash dhe atë maksimale prej 1100 kilometrash mbi sipërfaqen e Tokës.

Satelitët Mahda, Keyhan-2 dhe Hatef-1 u lëshuan të dielën më 28 janar 2024 nga terminali i lëshimeve hapësinore Imam Khomeini në provincën Semnan nga lëshuesi satelitor Simorgh, i prodhuar nga Ministria iraniane e Mbrojtjes.

Mahda është një satelit kërkimor i projektuar, prodhuar, montuar dhe testuar në Qendrën Iraniane të Kërkimeve Hapësinore. Me peshë 32 kilogramë, ai është një satelit i lehtë, i zhvilluar për testimin e nënsistemeve të avancuara satelitore.

Detyra kryesore e satelitit Mahda është të vlerësojë performancën e lëshuesit Simorgh në dislokimin e shumëfishtë të ngarkesave hapësinore në lartësi të ulët. Ai, gjithashtu, synon njohjen e nivelit të dizajneve të reja dhe besueshmërisë së teknologjive indigjene në hapësirë.

Nanosatelitët Keyhan-2 dhe Hatef-1 u projektuan dhe u zhvilluan nga Iran Electronics Industries, një degë shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit.

Ministri iranian i Telekomunikacionit, Isa Zarepour, tha se për herë të parë, lëshuesi satelitor Simorgh vendosi satelitin Mahda dhe dy satelitë të tjerë kërkimorë në orbitë njëkohësisht.

“Unë i uroj këtë arritje të rëndësishme popullit të dashur iranian dhe ekspertëve të hapësirës, ​​veçanërisht kolegëve të mi në Qendrën Iraniane të Kërkimeve Hapësinore dhe në Ministrinë e Mbrojtjes”, vuri në dukje ai.

 

Tags