Bisedë telefonike mes ministrave të Jashtëm të Iranit dhe Irakut
Në një bisedë telefonike, ministrat e jashtëm të Republikës Islamike të Iranit dhe të Republikës së Irakut diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për zhvillimet më të fundit në Gaza, si dhe theksuan nevojën për shtimin e përpjekjeve dhe të lëvizjeve politike për ndalimin e gjenocidit në Gaza dhe dërgimin e shpejtë të ndihmave humanitare.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, Hossein Amir-Abdollahian dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Irakut, Fuad Hussein, patën një bisedë telefonike të martën më 22 mars.
Në këtë bisedë telefonike, e cila u bë në vazhdimësi të urimeve që ministrit i Jashtëm i Iranit u bëri ministrave të jashtëm të vendeve islamike dhe në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, të dy palët diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Iranit dhe Irakut dhe e vunë theksin mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të trendit në rritje të marrëdhënieve si dhe të ndjekjes dhe zbatimit të marrëveshjeve mes presidentëve të dy vendeve.
Gjithashtu, në këtë bisedë telefonike, palët iu referuan edhe takimit të fundit të presidentëve të dy vendeve në margjinat e Samitit të Gazit (GECF) në Algjeri, ku diskutuan për statusin e fundit të marrëdhënieve të privilegjuara dypalëshe si dhe e vunë theksin mbi rritjen e konsultimeve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit në drejtim të stabilitetit dhe vendosjes së sigurisë në rajon.
Po ashtu, në vazhdim të kësaj bisede telefonike, homologët diskutuan për zhvillimet më të fundit në Gaza dhe theksuan nevojën për rritjen e përpjekjeve dhe të lëvizjeve politike për ndalimin e gjenocidit në Gaza dhe dërgimin e shpejtë të ndihmave humanitare.