Prill 22, 2024 11:58 Europe/Tirane
  • Kanani reagon ndaj zbulimit të varreve masive në Spitalin Naser të Gazës

Ndërsa dënoi masakrën dhe varrimin masiv të qindra njerëzve në Spitalin Naser të Gazës, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit u bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin kapacitetet rajonale dhe ndërkombëtare për të ndjekur dhe shqyrtuar në rrugë ligjore këtë krim dhe për të ndëshkuar autorët e tij.

Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Iranit, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Naser Kanani, në përgjigje të zbulimit të varrezave masive në afërsi të Spitalit Naser në Gaza, tha: “Publikimi i lajmit të tmerrshëm, të neveritshëm dhe zemërthyes të masakrës dhe varrimit masiv e të fshehtë të qindra pacientëve, të plagosurve dhe personelit mjekësor të Spitalit Naser në ambjentet e këtij spitali në Gaza ka shkaktuar habi dhe trishtim në mbarë opinionin publik botëror".

Kanani shtoi: "Krimet e përsëritura, të organizuara dhe të përhapura të regjimit sionist kundër banorëve të Rripit të Gazës janë shembuj të qartë të gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe ballafaqimi me mosndëshkimin e autorëve dhe urdhëruesve të krimit të përmendur është përgjegjësi e bashkësisë botërore dhe autoriteteve ndërkombëtare".

Më tej, ai tha: "Republika Islamike e Iranit, duke e dënuar fuqishëm këtë tragjedi të tmerrshme, i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryetarit të radhës të Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate dhe të gjitha vendeve dhe anëtarëve përgjegjës të bashkësisë ndërkombëtare që, përveç dënimit të këtij krimi, të shfrytëzohen kapacitetet rajonale dhe ndërkombëtare për të shfrytëzuar ndjekjen dhe hetimin gjyqësor të këtij krimi si dhe ndëshkimin e autorëve dhe urdhëruesve të tij".

Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës njoftoi zbulimin e një varri masiv që përmban trupat e 50 martirëve në zonën e Spitalit Naser që ndodhet në qytetin Khan Yunis në jug të Gazës. Sipas njoftimit të kësaj organizate, në këtë kompleks mjekësor pritet që të ketë edhe varreza të tjera masive.

Nga ana tjetër, burime palestineze njoftuan zbulimin e kufomave të më shumë se 210 personave në një varr masiv në Khan Yunis në jug të Gazës.

 

Tags