Prill 22, 2024 12:04 Europe/Tirane
  • Presidenti Raisi viziton Pakistanin

Presidenti iranian Ebrahim Raisi, në krye të një delegacioni të lartë zyrtarësh ekonomikë dhe politikë, u nis për në Islamabad me ftesë zyrtare të homologut të tij pakistanez.

Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Republikës Islamike të Iranit, Sejid Ebrahim Raisi, pasi të jetë pritur zyrtarisht nga kryeministri i Pakistanit Muhammad Shehbaz Sharif, do të ketë një takim privat me të gjatë udhëtimit të tij dyditor dhe së bashku me të do të zhvillojnë një takim të përbashkët të delegacioneve të larta të dy vendeve.

Në këtë udhëtim, Presidenti Raisi do të takohet edhe me homologun e tij pakistanez Asif Ali Zardari dhe përveç këtyre takimeve do të vizitojë edhe disa qytete të tjera të këtij vendi dhe do të takohet e bisedojë me studiues, elita, biznesmenë dhe aktivistë ekonomikë.

Ndër planet e tjera të Presidentit Raisi gjatë udhëtimit të tij në Pakistan do të jetë edhe një udhëtim në zemrën kulturore të Pakistanit, në qytetin Lahore, si dhe në zemrën ekonomike të këtij vendi, në qytetin Karaçi.

Pas Pakistanit, të mërkurën në mëngjes, me ftesë zyrtare të Presidentit të Sri Lankas, Ranil Wickremesinghe, Presidenti i Iranit do të bëjë një vizitë njëditore në këtë vend të Azisë Juglindore, ku përveç takimit privat në Pallatin Presidencial, së bashku me Presidentin e Sri Lankës, ai do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe fillimin zyrtar të funksionimit të "Superprojektit shumëfunksional Uma Oya", i cili përfshin dy diga dhe një termocentral me kapacitet 120 megavat të ndërtuar nga kontraktorë dhe inxhinierë iranianë.

 

Tags