Prill 24, 2024 12:29 Europe/Tirane
  • Përfundon vizitën në Pakistan/ Raisi niset për në Sri Lanka

Në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Pakistan, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, pas takimit me zyrtarë të lartë të këtij vendi, si dhe vizitave në qytetet Lahore dhe Karaçi, mëngjesin e sotëm është nisur për në Sri Lanka.

Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve IRNA, dje pasdreke, Presidenti Raisi mbërriti në qytetin Karaçi, kryeqendrën e shtetit (provincës) Sindh në jug të Pakistanit, ku u mirëprit nga kryeministri lokal dhe guvernatori i provincës Sindh.

Nderimi i themeluesit të ndjerë të Pakistanit, marrja e një doktorature nderi nga Universiteti i Karaçit, takimi me zyrtarë të lartë të qeverisë lokale dhe fjalimi në një takim të elitave shkencore dhe ekonomike ishin ndër planet e presidentit në ditën e fundit të vizitës së tij në Pakistan. Presidenti Raisi u takua gjithashtu edhe me homologun e tij pakistanez Asif Ali Zardari.

Sejed Ebrahim Raisi u largua nga Islamabadi dje në mëngjes (të martën) për në qytetin Lahore, kryeqytetin kulturor të Pakistanit. Vizita në varrin e Ikbal Lahorit dhe nderimi i këtij filozofi mysliman dhe persishtfolës, pjesëmarrja në takimin e elitave shkencore dhe kulturore në universitetin "Government College University" dhe takimi me kryeministrin lokal dhe guvernatorin e shtetit (provincës) Punjab ishin ndër programet politiko-kulturore të Presidentit Raisi në ditën e dytë të udhëtimit të tij në Pakistan.

Sot të mërkurën, me ftesë zyrtare të presidentit të Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, Presidenti Raisi do të bëjë një vizitë njëditore në këtë vend.

Në këtë udhëtim ai do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit dhe fillimit zyrtar të funksionimit të “Megaprojektit shumëfunksional Uma Oya”, i cili përfshin dy diga dhe një termocentral me fuqi 120 megavat të ndërtuar nga kontraktorë iranianë.

 

Tags