Prill 27, 2024 20:59 Europe/Tirane
  • Raisi: Irani nuk mund të sanksionohet

Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se Irani nuk mund të sanksionohet dhe komplotet perëndimore për të izoluar Iranin kanë dështuar falë vendosmërisë së çeliktë të vendit.

Raisi i bëri komentet të shtunën në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së gjashtë të potencialit eksportues të Republikës Islamike të Iranit (Expo 2024) në kryeqytetin Teheran.

“Kjo ekspozitë tregon se Irani është i pasanksionueshëm dhe sanksionet kundër tij nuk kanë dhënë kurrë ndonjë rezultat falë vullnetit të fortë të popullit dhe nuk do të jenë të suksesshme as pas kësaj”, tha Presidenti iranian.

"Gjithashtu, komplotet e liga për të izoluar Republikën Islamike të Iranit nuk janë realizuar dhe nuk do të realizohen kurrë", shtoi ai.

Duke nënvizuar se sanksionet konsiderohen si një metodë shtypjeje jo vetëm kundër një kombi, por ndaj të gjithë kombeve, Raisi tha: "Nëse një komb privohet nga arritja e qëllimeve të tij duke krijuar kufizime, kjo nuk është një padrejtësi ndaj një kombi dhe një rajoni, por ndaj të gjitha kombeve dhe rajoneve.”

Presidenti iranian i cilësoi sanksionet si një lloj lufte joushtarake dhe tha se kombi iranian arriti t'i kapërcejë pengesat duke u mbështetur në aftësitë e tij, siç pranohet nga administrata amerikane dhe Shtëpia e Bardhë, e cila pohoi dështimin e fushatës së presionit kundër Iranit.

Më tej në fjalimin e tij, Raisi vuri në dukje lokalizimin e teknologjisë nga Republika Islamike gjatë viteve të fundit dhe tha se përpjekjet e Perëndimit për të penguar përparimin e Iranit duke vrarë shkencëtarët e tij janë të kota.

Duke cekur nivelin e prodhimit dhe eksportit të vendit, Presidenti Raisi tha: “Fuqia e prodhimit dhe e eksportit nuk është më pak e rëndësishme se fuqia ushtarake. Ajo që mund ta bëjë një vend të fortë përveç fuqisë ushtarake është fuqia e prodhimit dhe ekonomisë dhe aftësia për të eksportuar.”

Presidenti iranian vlerësoi gjithashtu punëdhënësit, prodhuesit, inxhinierët dhe punëtorët iranianë si oficerët dhe ushtarët e vijës së parë në betejën kundër sanksioneve të SHBA.

 

Tags