Prill 28, 2024 12:17 Europe/Tirane
  • Irani dënon sanksionet e reja të SHBA-së, Britanisë dhe Kanadasë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit ka denoncuar sanksionet e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Kanadaja vendosën kundër një numri individësh dhe firmash iraniane, duke theksuar se lëvizje të tilla nuk mund të dëmtojnë aspak vendosmërinë e qeverisë dhe të kombit iranian.

Naser Kanani, në një deklaratë të lëshuar të shtunën, dënoi masat shtrënguese të treshes kundër disa personave realë dhe juridikë të lidhur me forcat e armatosura iraniane.

Ai dënoi gjithashtu rezolutën e Parlamentit Evropian kundër Iranit, duke kritikuar ashpër disa vende evropiane për ndjekjen e politikave të mbrapshta të administratës amerikane.

"Kapacitetet ushtarake të Republikës Islamike të Iranit po zhvillohen në përputhje me kërkesat e saj për të mbrojtur sigurinë dhe interesat kombëtare, për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin dhe për të krijuar një mbrojtje legjitime dhe parandaluese kundër kërcënimeve të huaja dhe akteve të agresionit", tha Kanani.

Ai nënvizoi se Irani është një partner i madh i komunitetit ndërkombëtar për sa i përket vendosjes së paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Diplomati iranian theksoi se sanksionet kundër sektorit të mbrojtjes së Iranit nuk mund të dëmtojnë aspak vendosmërinë e qeverisë iraniane dhe të kombit iranian për të rritur sovranitetin kombëtar për hir të mbrojtjes së integritetit territorial dhe interesave kombëtare.

"Ndryshe nga vullneti i atyre që i vendosin, sanksionet do të kthehen në një mundësi për promovimin e vetë-mjaftueshmërisë, si dhe të aftësive ushtarake dhe mbrojtëse", theksoi Kan’ani.

Ai, gjithashtu, kritikoi ashpër standardet e dyfishta të Parlamentit Evropian ndaj sulmit të regjimit izraelit në seksionin konsullor të ambasadës iraniane në kryeqytetin sirian Damask, duke argumentuar se organet legjislative të Bashkimit Evropian thjesht shprehën keqardhje për sulmin ajror, ndërkohë që dënuan me forcë përgjigjen legjitime të Iranit ndaj aktit të agresionit izraelit, përgjigje e cila erdhi në kuadrin e të drejtës së natyrshme të mbrojtjes legjitime.

Kanani vazhdoi duke hedhur poshtë akuzat perëndimore për dislokimin nga ana e Rusisë kundër Ukrainës të dronëve të prodhimit iranian, duke deklaruar se SHBA dhe disa vende evropiane këmbëngulin të shkojnë në drejtimin e gabuar të historisë, duke nxitur kriza dhe duke ngritur akuza kundër të tjerëve në vend që të ndihmojnë në ndalimin e luftërave në Gaza dhe Ukrainë.

Nëse nuk do të ishte për hir të trimërisë dhe vendosmërisë së Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) dhe këshilltarëve të saj martirë antiterror në rajon, terroristët e ISIS-it do të kishin pushtuar Parlamentin Evropian bashkë me zemrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të kishin rrezikuar akoma më shumë sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.”

Si mundet Parlamenti Evropian paturpësisht të bëjë thirrje për përfshirjen e të vetmes forcë të vërtetë kundër terrorizmit në botë në listën e grupeve të përcaktuara terroriste nëse nuk supozojmë se grupet terroriste po veprojnë në përputhje me objektivat dhe interesat e paligjshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, disa qeverive evropiane dhe regjimit sionist për të nxitur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Azinë Perëndimore?!”, vuri në dukje Kanani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane theksoi se shumë kombe dhe qeveri, veçanërisht në Azinë Perëndimore, nuk kanë më asnjë shpresë për rolin e SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë në vendosjen e stabilitetit dhe të sigurisë në rajon.

Vërejtjet e Kananit erdhën dy ditë pasi SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja njoftuan sanksione të reja ndaj Iranit pas operacionit të tij në shkallë të gjerë "Premtimi i Vërtetë" më 14 prill kundër objektivave ushtarake izraelite.

Të tre qeveritë thanë se po synonin industrinë e dronëve dhe raketave të Iranit duke marrë masa kundër individëve dhe kompanive "të përfshira ngushtë" në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot nga Irani.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë që dënon sulmet e gjera me dron dhe raketa të Iranit kundër regjimit izraelit, me një votim 357-20 dhe bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj subjekteve iraniane.

 

Tags