Bagheri: Duhet të ngrihemi kundër regjimit të lig sionist
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Iranit tha: “Ne duhet të ngrihemi kundër entitetit të djallëzuar të quajtur regjimi sionist, i cili është shkaku i destabilitetit në rajon dhe të ndërmarrim kundërmasa sipas ligjit ndërkombëtar, në mënyrë që pala tjetër të mos gjejë mundësi për intensifikimin e veprimeve të saj agresive në rajon”.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, të hënën mbrëma në një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, në lidhje me veprimet tensionuese të regjimit sionist, Ali Bagheri tha: "Nëse rishikoni të dhënat e sulmeve sioniste në Gaza, do të shihni se ato që izraelitët kanë shënjestruar janë kryesisht objekte civile, spitale, shtëpi banimi, si dhe fëmijë, gra e njerëz të pambrojtur."
Bagheri theksoi: "Veprimi që sionistët bënë së fundmi është shkelje e sigurisë dhe e sovranitetit tonë kombëtar si dhe e paqes dhe stabilitetit rajonal. Për këtë arsye, veprimi i tyre konsiderohet kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Prandaj është e nevojshme që të ngrihemi kundër entitetit të lig, që është shkaktar i destabilitetit në rajon."
Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar dialogun mes dy vendeve, tha: “Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh me Libanin dhe për procesin e përshkallëzimit të tensionit që po ndodh në rajon."
Ai theksoi: "Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar çdo përshkallëzim të tensionit dhe krizës, sepse këto tensione mund të konsiderohen si kërcënim ndaj Evropës gjithashtu."
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, duke u shprehur i kënaqur me këtë bisedë telefonike, tha: "Ne po i ndjekim zhvillimet në rajon dhe shpresojmë të jemi dëshmitarë të vazhdimit të konsultimeve të ngushta mes dy vendeve."