Vrasja e Haniyeh forcoi frontin e rezistencës në rajon
(last modified Tue, 06 Aug 2024 19:03:15 GMT )
Gusht 06, 2024 21:03 Europe/Tirane
  • Vrasja e Haniyeh forcoi frontin e rezistencës në rajon

Ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Bagheri Kani tha se martirizimi i Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, ka forcuar frontin e rezistencës në Palestinë dhe në mbarë rajonin.

 

“Ndërsa martirizimi i zotit Haniyeh është një humbje për rezistencën, ai ka forcuar frontin e rezistencës në Palestinë dhe rajon. E gjithë bota islame e dënoi këtë vrasje kriminale”, tha ai teksa vizitoi zyrën e Hamasit në Teheran.

Bagheri tha se martirizimi i Haniyeh në tokën iraniane ka forcuar më tej lidhjen dhe solidaritetin midis palestinezëve dhe kombit iranian.

Ai vuri në dukje se Haniyeh ishte një bir i rezistencës, sakrificat e të cilit ndihmuan në përforcimin e kauzës palestineze.

“Mesazhi nga martirizimi dhe funerali madhështor publik i Haniyeh në Teheran është se ne dhe ju jemi një dhe ky solidaritet në rezistencën kundër okupimit dhe agresionit është më i fortë se kurrë”, shtoi kryediplomati iranian.

Duke vënë në dukje se vrasja e Haniyeh në tokën iraniane ishte një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare, ai pohoi se Irani rezervon të drejtën t'i përgjigjet këtij akti agresioni në mbrojtje të sigurisë dhe sovranitetit të tij kombëtar dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Republika Islamike e Iranit do t'i japë një përgjigje vendimtare dhe efektive këtij akti kriminal të regjimit sionist”, tha ai.

Bagheri Kani theksoi më tej se Irani do të përdorë të gjitha burimet ligjore, politike dhe mediatike që ka në dispozicion për të mbrojtur të drejtat e vendit dhe interesat kombëtare në këtë çështje.