Bagheri: Heshtja e disa vendeve evropiane shkakton arrogancën e regjimit sionist
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Iranit deklaroi se heshtja e disa vendeve evropiane përballë veprimeve terroriste të regjimit sionist do të bëhet shkak që arroganca e bandës kriminale që sundon në Tel Aviv të intensifikojë dhe të përhapë tensionin dhe pasigurinë në rajon.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Iranit, Ali Bagheri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, patën një bisedë telefonike të martën mbrëma lidhur me veprimet agresive dhe terroriste të regjimit sionist që çuan në martirizimin në Teheran të kreut të Zyrës Politike të Hamasit nga duart e regjimit sionist.
Bagheri, duke iu referuar shkeljes së sovranitetit kombëtar dhe të sigurisë kombëtare të Republikës Islamike të Iranit nga ana e regjimit sionist, deklaroi: "Fatkeqësisht, disa vende evropiane e kanë bërë zakon heshtjen në lidhje me veprimet terroriste të regjimit sionist në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo është bërë shkak që arroganca e bandës kriminale që sundon në Tel Aviv të përshkallëzojë tensionin dhe të përhapë pasigurinë në rajon."
Ai shtoi: "Pala evropiane praktikisht i bllokoi të gjitha kanalet diplomatike duke mos dënuar agresionin e qartë terrorist të regjimit sionist dhe duke penguar vendimin efektiv dhe parandalues të Këshillit të Sigurimit kundër regjimit sionist."
Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë Alexander Schallenberg shprehu shqetësimin e tij për përkeqësimin e situatës në rajonin e Azisë Perëndimore dhe tha: "Duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje, Austria thekson nevojën për të përdorur të gjitha kapacitetet diplomatike për uljen e tensioneve."