Gusht 13, 2024 09:33 Europe/Tirane
  • Kryeministri britanik bisedon me presidentin Pezeshkian rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme

Kryeministri britanik Keir Starmer, në një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ka diskutuar për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ka theksuar nevojën për qetësi në rajon.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, zyra e kryeministrit britanik, në një deklaratë të hënën mbrëma njoftoi: "Kryeministri tha se është thellësisht i shqetësuar për situatën në rajon dhe kërkoi nga të gjitha palët që të ulin tensionet dhe të përmbahen nga konfrontimet e mëtejshme në rajon."

Starmer tha gjithashtu se rreziku i llogaritjes së gabuar është serioz dhe tani është koha për qetësi dhe konsiderata të matura.

Ai kërkoi nga Irani që të përmbahet nga sulmi ndaj Izraelit dhe shtoi se lufta nuk është në interesin e askujt.

Sipas deklaratës së zyrës së kryeministrit britanik, Starmer theksoi angazhimin e tij për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve (të burgosurve) dhe një rritje të ndihmës humanitare për Gazën, duke shtuar se "fokusi duhet të jetë në negociatat diplomatike dhe arritjen e qëllimeve të mësipërme".

Më tej, deklarata shtoi se liderët e të dy vendeve ranë dakord se një dialog konstruktiv midis Britanisë së Madhe dhe Iranit është në interes të të dy vendeve.

Ndërkohë, krerët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, në një deklaratë të përbashkët të hënën mbrëma, kërkuan rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve për armëpushimin në Gaza, përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve dhe ofrimin e ndihmës për palestinezët, si dhe shprehën shqetësimin e tyre se "sulmi i Iranit dhe aleatëve të tij është një mundësi për komprometimin e marrëveshjes për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve".

Ankthi dhe konfuzioni psikologjik i regjimit izraelit po shtohen dita-ditës për shkak të reagimit të sigurt të Iranit ndaj vrasjes së dëshmorit Ismail Haniyeh dhe reagimit të Rezistencës Islamike të Libanit ndaj vrasjes së dëshmorit Fuad Shukr, një prej komandantëve të tij të lartë.

 

Tags