Pezeshkian thekson nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve me vendet evropiane
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, duke e konsideruar të nevojshme heqjen e pengesave për përmirësimin e marrëdhënieve midis Iranit dhe vendeve evropiane, tha: "Republika Islamike e Iranit dëshiron të zgjerojë marrëdhëniet me të gjitha vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, bazuar në miqësinë dhe besimin reciprok."
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, të hënën, në përgjigje të telefonatës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian, tha: "Në një situatë ku regjimi sionist ka kryer krime në Gaza dhe akte terroriste në vende të tjera, duke bërë që siguria e rajonit dhe paqja botërore të përballen me një krizë serioze, popujt e botës presin që vendet evropiane, veçanërisht Gjermania, të luajnë një rol efektiv në dhënien fund të gjenocidit sionist në Gaza."
Duke theksuar se Republika Islamike e Iranit e ka konsideruar gjithmonë veten të detyruar të respektojë ligjet dhe rregulloret ndërkombëtare, Pezeshkian tha: "Duke mirëpritur zgjerimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet dhe duke theksuar zgjidhjen e problemeve përmes negociatave, Irani nuk do t'u nënshtrohet kurrë presioneve, sanksioneve, shtrëngimeve dhe agresioneve. Përkundrazi, bazuar në standardet ndërkombëtare, e konsideron të drejtën e vet t'u përgjigjet agresorëve."
Gjithashtu, edhe kryeministri i Gjermanisë, Olaf Scholz, duke e përgëzuar presidentin Pezeshkian për zgjedhjen e tij në detyrën e presidentit të Republikës Islamike të Iranit, theksoi interesimin e vendit të tij për përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin në të gjitha fushat.
Scholz, gjithashtu e konsideroi vendosjen e paqes dhe të sigurisë në rajon si një nga prioritetet e qasjes së Gjermanisë ndaj Azisë Perëndimore dhe botës dhe theksoi nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të luftës dhe dhunës në Gaza, si dhe vendosjen e armëpushimit në këtë rajon.