Të gjithë ministrat e Presidentit Pezeshkian fitojnë votëbesimin e parlamentit
(last modified Wed, 21 Aug 2024 19:01:19 GMT )
Gusht 21, 2024 21:01 Europe/Tirane
  • Të gjithë ministrat e Presidentit Pezeshkian fitojnë votëbesimin e parlamentit

Parlamenti iranian ka përfunduar debatin mbi të nominuarit për kabinetin e ri të vendit dhe miratoi të gjithë 19 ministrat e kabinetit të Presidentit Masoud Pezeshkian.

Në një seancë të mërkurën, pas katër ditësh diskutimesh dhe seancash intensive, ligjvënësit votuan pro 19 ministrave të propozuar nga presidenti i ri i Iranit.

Ndër ministrat e emëruar për të marrë miratimin e parlamentit ishte Abbas Aragchi, i cili do të marrë detyrën si ministri i ri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, duke pasuar Hossein Amir-Abdollahian.

Përpara votimit të mërkurën, presidenti Pezeshkian iu drejtua parlamentit dhe u kërkoi deputetëve të miratonin kandidatët e tij për ministra, ndërsa bëri thirrje gjithashtu për "unitet dhe kohezion".

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka vlerësuar parlamentin e vendit për votën e besimit për listën e tij të ministrave të kabinetit, duke thënë se fakti që legjislatura miratoi të gjithë ministrat është një shenjë e nivelit të lartë të bashkëpunimit dhe sinergjisë midis dy degëve të pushtetit.

Në një letër drejtuar kryetarit të parlamentit iranian Mohammad Bagher Kalibaf të mërkurën, Pezeshkian tha se vota absolute e anëtarëve të parlamentit për ministrat e kabinetit të tij ishte një pasuri sociale që forcon qasjen e administratës së sapozgjedhur për të krijuar një ndjenjë uniteti kombëtar në vend.

Ai përsëriti se kishte marrë në konsideratë qëndrimet e zyrtarëve të lartë politikë dhe ekzekutivë të vendit si dhe grupeve të ndryshme politike, sociale dhe kulturore përpara se të dorëzonte në parlament listën e ministrave të kabinetit.