Tetor 08, 2024 09:54 Europe/Tirane
  • Irani dënon aktin terrorist në aeroportin e Karaçit

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit dënoi ashpër sulmin terrorist në aeroportin e Karaçit në Pakistan, i cili rezultoi me vdekjen dhe plagosjen e një numri shtetasish pakistanezë e kinezë dhe shprehu dhimbjen e tij me të afërmit e viktimave dhe qeveritë e Pakistanit dhe Kinës.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ismail Baghaei, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, duke e vënë theksin mbi dënimin e të gjitha formave të terrorizmit si shkelja e rregullave dhe e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut, në përballjen me këtë fenomen të lig e konsideroi të domosdoshëm më shumë se kurrë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet vendeve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit deklaroi se Republika Islamike e Iranit është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me të gjitha vendet, veçanërisht me vendet fqinje, për të parandaluar dhe luftuar përhapjen e terrorizmit dhe të pasigurisë në rajon.

Në një sulm vetëvrasës mbrëmjen e së dielës në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Karaçit, në Pakistan, dy shtetas kinezë u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën. Në këtë shpërthim të tmerrshëm u dogjën edhe disa makina.

Nëpërmjet një deklarate, grupi separatist Ushtria Çlirimtare Beluçe (BLA) mori përgjegjësinë për shpërthimin, duke thënë se ishte një sulm vetëvrasës që synonte një delegacion inxhinierësh dhe investitorësh kinezë që punonin në një projekt energjetik në provincën Sindh.

Tags