Irani rezervon të drejtën të mbrohet nga aktet e huaja të agresionit
(last modified Sat, 26 Oct 2024 18:59:22 GMT )
Tetor 26, 2024 20:59 Europe/Tirane
  • Irani rezervon të drejtën të mbrohet nga aktet e huaja të agresionit

Ministria e Jashtme iraniane dënoi aktin e agresionit izraelit kundër instalimeve ushtarake të Iranit si një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht parimit që ndalon kërcënimet ose përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të vendeve.

“Republika Islamike e Iranit, duke marrë parasysh të drejtën e natyrshme për vetëmbrojtje të përcaktuar në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, rezervon të drejtën të mbrohet nga aktet e huaja të agresionit”, tha Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë për shtyp të botuar të shtunën, më 26 tetor.

Ajo theksoi se Teherani do të përdorë të gjitha aftësitë materiale dhe shpirtërore të kombit iranian për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e tij jetike dhe do të përmbushë me vendosmëri detyrat e tij ndaj paqes dhe sigurisë rajonale.

“Irani konsideron se përgjegjësia individuale dhe kolektive për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin në Azinë Perëndimore i takon të gjitha vendeve të rajonit dhe përshëndet të gjitha vendet paqedashëse në rajon dhe më gjerë, të cilët kanë shprehur irritimin e tyre dhe kanë dënuar agresionin e regjimit pushtues izraelit  në dritën e status quo-së së pasigurt në rajon”, thuhet në deklaratë.

“Nuk ka dyshim se okupimi i vazhdueshëm, aktet e paligjshme dhe krimet e regjimit sionist në rajon, në veçanti gjenocidi ndaj palestinezëve dhe agresioni kundër Libanit, i cili vazhdon falë mbështetjes ushtarake dhe politike të udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore janë shkaku kryesor i tensioneve dhe pasigurisë në rajon”, thuhet në deklaratë.

“Republika Islamike e Iranit rikujton edhe një herë përgjegjësinë e secilit shtet anëtar të Kombeve të Bashkuara, të Shteteve Anëtare të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe të Shteteve Anëtare të katër Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të miratojnë masa urgjente dhe kolektive kundër shkeljeve flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Konventës për Ndalimin e Gjenocidit dhe të drejtave ndërkombëtare humanitare, të cilat konsiderohen si shkelje e rëndë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, nënvizoi Ministria e Jashtme iraniane.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit theksoi gjithashtu nevojën e veprimit të menjëhershëm dhe urgjent nga komuniteti ndërkombëtar për t'i dhënë fund gjenocidit, luftërave dhe agresionit kundër Gazës dhe Libanit dhe për t'i dhënë fund politikave agresive të regjimit sionist.