Kharazi: Përgjigja ndaj regjimit sionist është e sigurt
(last modified Sat, 02 Nov 2024 08:47:18 GMT )
Nëntor 02, 2024 09:47 Europe/Tirane
  • Kharazi: Përgjigja ndaj regjimit sionist është e sigurt

Kreu i Këshillit Strategjik për Marrëdhëniet me Jashtë i Iranit njoftoi mundësinë e rritjes së rrezes së veprimit të raketave të Iranit dhe deklaroi se Irani do t'i përgjigjet patjetër agresionit të regjimit sionist në kohën e duhur.

Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Iranit (IRIB), në një intervistë për rrjetin televiziv Al-Mayadeen, kreu i Këshillit Strategjik për Marrëdhëniet me Jashtë të Republikës Islamike të Iranit, Kamal Kharazi tha: "Përsa i përket çështjes së rrezes së veprimit të raketave, ne kemi pasur parasysh ndjeshmëritë e perëndimorëve, veçanërisht evropianëve, por kur ata nuk marrin parasysh ndjeshmëritë tona, veçanërisht për çështjen e integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit, nuk ka arsye që ne të marrim në konsideratë ndjeshmëritë e tyre. Prandaj, ekziston mundësia që të rritet rrezja e veprimit të raketave iraniane."

Duke theksuar se regjimi sionist bëri llogaritje të gabuara në luftën kundër Gazës dhe Libanit, Kharazi tha: "Ata mendonin se mund të shkatërronin Hamasin dhe Hezbollahun duke sulmuar Gazën dhe Libanin. Ata mendonin se me martirizimin e udhëheqësve të Hamasit dhe të Hezbollahut, këto lëvizje popullore do të shuheshin. Këto ishin llogaritjet e tyre të gabuara. Madje në vetë Izraelin, shumë e pranojnë faktin se këto ishin llogaritje të gabuara. Sepse mendimi i qëndresës dhe i lirisë nuk mund të shkatërrohet me operacione ushtarake."

Kreu i Këshillit Strategjik për Marrëdhëniet me Jashtë të Republikës Islamike të Iranit uroi gjithashtu zgjedhjen e Sheikh Naim Kasem në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut të Libanit dhe tha: "Sigurisht, Hezbollahu do të vazhdojë punën e vet nën udhëheqjen e tij. Një nga politikat e të ndjerit Nasrallah ishte se ai kishte trajnuar njerëz për ta pasuar atë, po ashtu edhe aradha të ndryshme të partisë, në mënyrë që ata të mund të zëvendësonin menjëherë drejtuesit dhe udhëheqësit e mëparshëm të Hezbollahut. Me këtë politikë Hezbollahu vazhdon me forcë punën e vet dhe dëshira e izraelitëve që Hezbollahu të shpërbëhet me martirizimin e tyre, nuk është përmbushur.