Irani i gatshëm të marrë në konsideratë vendosjen e trupave në Siri
Irani është i përgatitur të marrë në konsideratë vendosjen e trupave në Siri, nëse Damasku bën një kërkesë zyrtare, tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Në një intervistë me gazetën Al-Arabi Al-Jadid të Katarit, Araghchi paralajmëroi se ofensiva e befasishme nga grupet terroriste në Sirinë veriperëndimore mund të përbëjë një kërcënim më serioz të sigurisë për vendet fqinje, si Turqia dhe Iraku, sesa për Iranin.
Ai shprehu shqetësimet e tij për kolapsin e mundshëm të procesit të Astanasë, një nismë diplomatike që filloi në vitin 2017 dhe përfshin tre shtete garantuese kryesore: Rusinë, Turqinë dhe Iranin.
Araghchi diskutoi gjithashtu vizitën e tij të fundit në Ankara, duke vënë në dukje se Teherani kërkon vazhdimisht konsultim dhe dialog me Turqinë lidhur me dallimet mes tyre. Ai tha se ka përpjekje të vazhdueshme që synojnë qetësimin e situatës në Siri dhe krijimin e mundësive për një zgjidhje të qëndrueshme.
Për marrëdhëniet e Iranit me aleatët në Boshtin e Rezistencës, Araghchi deklaroi se "Irani nuk komandon fraksionet e rezistencës në vendet arabe dhe nuk ka lidhje organizative me ta, përkundrazi, ai mbështet kauzën e tyre dhe ofron ndihmë kur është e nevojshme".
Lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje për të ndalur fushatën izraelite të gjenocidit në Gaza, Araghchi tha se "nëse Izraeli hyn në negociata me Hamasin për një armëpushim dhe lirimin e robërve, kjo do të nënkuptonte humbjen e Izraelit".
Ai tha se Irani aktualisht nuk ka ndërmend të angazhohet në dialog me Uashingtonin për shkak të mungesës së bazës për diskutime të tilla. "Ne presim të shohim se si administrata e re do t'i formësojë politikat e saj, pastaj ne do të formulojmë politikën tonë", tha kryediplomati Iranian.