Ambasada iraniane në Siri do të fillojë së shpejti aktivitetin e saj
Hossein Akbari, ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Siri, tha: "Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Siri do të fillojë së shpejti aktivitetin e saj."
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, në një bisedë për zhvillimet e fundit në Siri, Akbari shtoi: "Askush nuk priste që këto zhvillime të ndodhnin me një shpejtësi të tillë dhe në një periudhë shumë të shkurtër kohore në Siri."
Ambasadori i Iranit në Siri deklaroi: "Pak ditë para fillimit të operacionit, aeroplanët sirianë dhe rusë kishin bombarduar pozicionet e tyre dhe ata (grupi "Hay'at Tahrir al-Sham") nisën një operacion me qëllim hakmarrjen për këtë bombardim, por kur filloi operacioni dhe ushtria siriane nuk i rezistoi, këta njerëz u inkurajuan të zgjeronin operacionin nga akse të ndryshme dhe qyteti i Alepos, i cili kishte rezistuar për më shumë se katër ose pesë vjet, ra në një kohë shumë të shkurtër, brenda një dite ose dy ditësh."
Ambasadori i Iranit në Siri shtoi: "Kur këta njerëz (kundërshtarët e Bashar al-Asadit) arritën në Damask, ata deklaruan se nuk kishin asnjë problem me Iranin dhe garantuan sigurinë e ambasadës tonë, duke instaluar gardhe dhe roje."
Akbari theksoi: "Synimi ynë është që të rifillojmë sa më shpejt aktivitetet konsullore. Gjithashtu, këta persona kanë deklaruar gatishmëri dhe kanë thënë se do të japin garancitë e nevojshme për sigurinë e ambasadës dhe aktiviteteve të tjera. Dashtë Zoti, ambasada do të rifillojë së shpejti aktivitetet e saj."
Në përfundim, ambasadori i Iranit në Siri, duke deklaruar se regjimi sionist nuk dëshiron të formohet një qeveri e fuqishme në Siri, sqaroi: "Politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë gjithashtu të përshtatura në bazë të interesave të regjimit sionist. Këta faktorë janë sfidat serioze me të cilat përballet Siria në këtë moment."