Takimi i ministrave të Jashtëm të Iranit dhe Egjiptit
Sejed Abbas Araghchi dhe Badr Abdul-Ati, ministrat e Jashtëm të Republikës Islamike të Iranit dhe të Egjiptit, u takuan në Kajro në margjinat e Takimit Ministror të Organizatës së Tetë Vendeve Islamike në Zhvillim (D-8).
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, duke falënderuar organizatorët për mikpritjen dhe organizimin e suksesshëm të Takimit Ministror të Organizatës D-8, shprehu shpresën se edhe samiti i krerëve të kësaj organizate do të jetë i suksesshëm për të arritur rezultate të kënaqshme në përputhje me interesat e vendeve dhe popujve të grupit të vendeve islamike në zhvillim dhe të botës islame.
Duke iu referuar pozicionit dhe rolit të rëndësishëm dhe efektiv të dy vendeve në rajon dhe në botën islame, palët theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit të vendeve anëtare në kuadër të Organizatës D-8, veçanërisht aktivizimin e kësaj organizate në fushat ekonomike.
Araghchi, duke shprehur shpresën se presidenca egjiptiane do të ketë më shumë ndikim në dinamikën dhe aktivizimin e organizatës D-8, shpalli gatishmërinë e Republikës Islamike të Iranit për të ndihmuar Egjiptin në këtë drejtim.
Araghchi dhe Abdul-Ati, pasi shqyrtuan zhvillimet në rajon, duke u ndalur në zgjerimin e rrethit të agresionit dhe krimeve të regjimit sionist nga Gaza në Liban e deri në Siri, e konsideruan konsensusin e vendeve ndikuese të rajonit, veçanërisht Iranit dhe Egjiptit, të domosdoshëm për ndalimin e këtyre agresioneve dhe parandalimin e rritjes së tensionit dhe theksuan nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për ndalimin e gjenocidit ndaj palestinezëve si dhe dërgimin e ndihmave humanitare për të pastrehët palestinezë në Gaza.