Irani: Akuzat e G7-ës, të pabaza dhe të papërgjegjshme
Irani ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e fundit të ngritura kundër Teheranit nga ministrat e Jashtëm të Grupit G7, duke i përshkruar ato si “të pabaza dhe të papërgjegjshme”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha të dielën se akuzimi i Iranit për veprime destabilizuese në rajon ishte qesharake, në një kohë kur anëtarët e G7-ës, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe tre vende evropiane, janë mbështetësit kryesorë të gjenocidit të Izraelit.
Ismail Baghaei nënvizoi të drejtën legjitime të Iranit për të mbrojtur popullin dhe sovranitetin e vet kundër çdo kërcënimi dhe agresioni. Ai tha se përveç sigurisë kombëtare të Iranit, aftësitë mbrojtëse të Republikës Islamike synojnë gjithashtu të mbrojnë paqen dhe sigurinë në Azinë Perëndimore.
Baghaei përmendi gjithashtu programin bërthamor paqësor të Iranit, duke thënë se ai po zbatohet në përputhje me Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT) dhe Marrëveshjen e Masave Mbrojtëse. Ai tha se Izraeli është pengesa e vetme për një Azi Perëndimore pa armë bërthamore.
Baghaei theksoi se regjimi sionist po kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke zhvilluar armë të shkatërrimit në masë me mbështetjen e plotë të anëtarëve të G7-ës.
Baghaei dënoi mbështetjen e palëkundur të vendeve të G7-ës për regjimin sionist në një kohë kur ai është i përfshirë në gjenocid në Gaza dhe agresion kundër popujve të rajonit. Ai paralajmëroi se këto veprime përbëjnë një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.