Irani i gatshëm për bashkëpunim bërthamor me vendet e rajonit
Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit deklaroi se Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me vendet e rajonit për zhvillimin e energjisë bërthamore.
Ali Akbar Salehi duke folur në takimin vjetor të Komunitetit Ndërkombëtar Bërthamor që po zhvillohet në Londër, theksoi se Teherani është i gatshëm të ndihmojë vendet e rajonit në shfrytëzimin e energjisë bërthamore dhe të shkëmbejë përvojat e tij në këtë fushë. Ai theksoi se Agjencia e Energjisë Atomike të Iranit dëshiron pjesëmarrjen e vendeve dhe kompanive që posedojnë industrinë bërthamore në projektet bërthamore të Iranit. Duke folur për përparësitë e energjisë bërthamore si një energji e pastër dhe ekonomike, zoti Salehi theksoi se Irani ka nënshkruar një kontratë të re me Rusinë për ndërtimin e dy centraleve të rinj bërthamorë në Bushehr dhe është i gatshëm të lidhë kontrata të reja me vendet e tjera për prodhimin e energjisë paqësore bërthamore. Në takimin vjetor të Komunitetit Ndërkombëtar Bërthamor që po zhvillohet në Londër marrin pjesë funksionarë dhe specialist të cështjeve bërthamore nga 35 shtete të botës.