Një letër nga Irani mistik
Nuk është e habitshme nëse për shumë njerëz vizita në Iranin e panjohur duket disi e pazakontë.
Unë për tre vite kam shërbyer si ambasador jo-rezident në Iran, por e kisha vizituar vetëm një herë këtë vend kur i dorëzova letrat kredenciale presidentit iranian Hasan Ruhani në Shkurt 2014. E pranoj se megjithëse kisha lexuar shumë për këtë vend të bukur, vizita si turist në Iran do të më ndihmonte të mësoja shumë gjëra që nuk i dija. Irani dhe populli i tij i kanë dhënë shumë botës nga civilizimi, arti, kultura dhe historia e tyre. Iranianët janë një popull krenar dhe i mrekullueshëm. Shpesh, neve na ofrohen imazhe të ndryshme që nuk përputhen me realitetin në Iran. ‘Shtegtim në kohë, histori e gjallë, bukuri magjike dhe mistike’, kështu do t’a përshkruaja Iranin. Një vend tre herë më i madh se Turqia, por me numër popullsie të njëjtë, Irani i ka të katër stinët dhe posedon pothuajse gjithçka që Zoti ka krijuar. Irani është një nga vendet më të vjetra të Azisë. Gjatë lashtësisë, perandori të ndryshme si Madët, Akamnenët, Partët dhe Sasanidët u krijuan dhe sunduan në këtë tokë. Në atë epokë, pushteti, politika, ekonomia, feja dhe sistemi social i tyre përbënin pjesën themelore të historisë së civilizimit njerëzor. Një vizitë në Muzeun Kombëtar në Teheran mund të jetë një nga eksperiencat më të rralla të njohjes me historinë e njerëzimit. Janë të gjata radhët e turistëve që presin të futen në brendësi të trashëgimisë botërore të fshehur në tokën iraniane. Mundet të humbasësh në gjurmët e historisë, në tempujt, muzeumet, tregjet madhështore, në bukurinë e papërshkrueshme të arteve të çdo lloji, njerëz miqësorë e të pashëm, ushqime të shijshme e shumë të larmishme dhe sigurisht gjuha e ëmbël dhe tingëlluese persiane, që duket sikur është krijuar të flitet vetëm butësisht. Nuk ka kultura të mira e të këqija, por vetëm kultura të ndryshme. Dhe natyrisht, bota është e pasur për shkak të diversitetit të kulturave, por mendoj se Irani zë një vend unik në trashëgiminë kulturore botërore. Teherani në vetvete, me trafikun e dendur dhe plot zhurmë nuk ndryshon nga metropolet e tjerë të botës. Por pazari i madh i Teheranit është i veçantë në llojin e vet. Pa frikë mund të them se do të thyeni rekord botëror nëse nuk i shpenzoni paratë atje. Është e pamundur në kuptimin e plotë të fjalës që të mos tundohesh nga larmia e madhe e mallrave duke filluar që nga tapetet me famë botërore e deri tek suvenirët e thjeshtë, ku të gjitha përcjellin shpirtin iranian. Iranianët janë muslimanë shi’itë dhe lidhja e tyre me Zotin është unike. Besimi i tyre nuk është thjesht ritual në sensin klasik të fjalës, por një bashkëveprim i lidhjes mistike, shpirtërore dhe shkencore me Krijuesin. Iranianët janë besimtarë të fuqishëm dhe pragmatikë. Kështu mendoj, sepse gjuha e tyre është aq poetike dhe poetët e tyre, shumica e të cilëve kanë qenë fetarë, kanë shkruar vargje të cilat sot janë po aq reale, sa ishin edhe para mijëra vitesh. Për të njohur Iranin e sotëm, duhet të njihni rrënjët e tyre persiane dhe historinë e lavdishme. Sigurisht, historia e një kombi nuk është e njëjtë me historinë e një individi! Iranianët besojnë se kanë arritur deri këtu në sajë të brezave dhe gjeneratave që kanë jetuar mijëra vite më parë. Vizita në Esfahan dhe Shiraz ishte aq e veçantë, saqë mu duk sikur isha në Disney World, por me ndryshimin se aty isha në botën reale. Ende e ndjej gumëzhimën e tregut të zhurmshëm me vepra arti të mahnitshme, mikpritjen e pakrahasueshme, megjithëse duhet të këmbëngulësh vazhdimisht për të marrë një skonto të mirë. Do të vazhdoj të promovoj bukurinë unike të Iranit dhe mirësinë e popullit të tij kudo që të jem, sepse jam i bindur se njohja dhe afrimit mes popujve do të afrojë edhe qeveritë dhe shtetet. Mirënjohje dhe falënderim të veçantë për mikun tim, Ambasador Ali Reza Bigdeli, dashuria dhe admirimi i të cilit për vendin e tij, ishte një nga arsyet që vendosa të vizitoj Iranin.
Ambasador Genci Muçaj