Java e Mbrojtjes së Lavdishme, kujtim i epopesë heroike
21 Shtatori përkon me përvjetorin e fillimit të agresionit të regjimit të Sadamit kundër Iranit. Më 21 Shtator 1980, në orën 14 sipas orës së Teheranit, avionët luftarakë të Irakut bombarduan aeroportin e Teheranit dhe 8 qytete të tjera iraniane.
Natyra e disa njerëzve është e tillë që kur hasen me ngjarje të rënda dhe rrethana tepër të vështira, shpalosin aftësinë dhe forcën e tyre. Edhe popujt nganjëherë detyrohen që në këtë mënyrë të përballojnë fatkeqësitë natyrore apo sociale si tërmetet, përmbytjet, sëmundjet ngjitëse apo luftërat dhe konfliktet. Për popullin e madh iranian dy ngjarje të rëndësishme si revolucioni islamik dhe lufta e imponuar nga regjimi i Sadamit kundër Iranit ishin dy sprova të mëdha dhe përcaktuese. Natyrisht populli iranian doli krenar dhe fitimtar nga këto dy sprova. Në veçanti agresioni i ushtrisë së regjimit të Sadamit i cili përkrahej nga shumë fuqi botërore dhe mbrojtja e lavdishme dhe heroike e popullit iranian dëshmuan se populli iranian me qëndresë dhe sakrificë është i aftë tu bëjë ballë vështirësive. Kishte kaluar 1 vit e gjysmë nga fitorja e revolucionit islamik kur ushtria e Sadamit filloi një agresion të gjerë kundër territorit të RII. Revolucioni islamik ishte një zhvillim i rëndësishëm në historinë e Iranit që shpalosi vullnetin, forcën, unitetin dhe aspiratat e larta të popullit iranian. Për shkak të këtyre veçantive të revolucionit islamik dhe sidomos për shkak të mospajtueshmërisë së tij me sistemin shtypës të fuqive arrogante, grupet anti-revolucionare si dhe vendet perëndimore me në krye Amerikën filluan komplotet kundër lëvizjes së re të popullit iranian. Megjithatë asnjë nga këto komplote qoftë në sferën politike, ekonomike dhe ushtarake nuk patën rezultat kundër revolucionit islamik sepse ky revolucion kishte përkrahjen e fuqishme të popullit iranian si dhe lidershipin largpamës të Imam Khomeinit (r.a), themeluesit të RII. Lufta e imponuar nga ish-diktatori irakian kundër Iranit duhet konsideruar si kërcënimi më i rëndësishëm kundër revolucionit dhe sistemit islamik në Iran sepse ky agresion kishte për qëllim përmbysjen e sistemit të RII. Një nga arsyet e rëndësishme të agresionit të regjimit të Sadamit kundër Iranit ishte përkrahja e fuqishme e vendeve që ishin kundërshtare të sistemit të RII për këtë agresion të egër. Në atë kohë regjimi i Irakut që quhej ndryshe dhe Kampi i lindjes, përkrahej në aspektin financiar, ekonomik, politik, propagandistik dhe ushtarak nga vendet perëndimore dhe nga vendet arabe vasale të perëndimit dhe u inkurajua në agresionin ushtarak kundër RII. Në këtë kuadër Uashingtoni megjithëse e konsideronte regjimin e Sadamit terrorist, shkelës të drejtave të njeriut, kundërshtar i lirisë dhe përkrahësi i BS, pas agresionit ushtarak të këtij regjimi kundër Iranit, Amerika ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Bagdadit. Uashingtoni e nxori Irakun nga lista e vendeve përkrahëse të terrorizmit në mënyrë që ky vend të mund të importojë mallra dhe armatime amerikane. Amerika duke shfrytëzuar ndikimin e saj në KS, miratoi rezoluta kundër Iranit dhe nga ana tjetër u përpoq të pengonte eksportin e naftës së Iranit, sigurimi kryesor i të ardhurave të vendit si dhe vuri embargo të armatimeve kundër Iranit. Amerika jo vetëm injoroi krimet e luftës së regjimit të Sadamit si përdorimi i armëve kimike, sulmet kundër qyteteve dhe zonave të banuara dhe shumë krime të tjera, por u përpoq të justifikojë të tilla krime të regjimit të Sadamit. Gjatë fundit të luftës, Amerika kur e kuptoi se presionet e saj kundër popullit iranian nuk kanë rezultat e shtoi praninë e forcave amerikane në rajon dhe në disa raste pati edhe konfrontim me forcat iraniane në Gjirin Persik. Shkatërrimi i disa platformave të naftës dhe i disa anijeve iraniane dhe në fund rrëzimi i avionit të transportit civil iranian me 290 pasagjerë në bord në ujërat e Gjirit Persik ishin disa nga veprimet ushtarake të Amerikës kundër Iranit. Edhe vendet e tjera perëndimore u përpoqën ta ndihmojnë Sadamin në agresionin kundër RII. Dërgimi i shumë llojeve të armëve të lehta e të rënda në Irak, si dhe përkrahja politike dhe propagandistike për diktatorin gjakpirës të Irakut ishin disa nga këto ndihma. Por skandali më i madh dhe krimi më çnjerëzor i vendeve perëndimore ishte dërgimi i lëndëve kimike në Irak dhe ndihmesa për regjimin e Sadamit për të prodhuar lloje të ndryshme të armëve kimike. Lufta e imponuar nga regjimi i Sadamit kundër popullit iranian shkaktoi vdekjen e qindra-mijëra njerëzve në Iran dhe Irak dhe u imponoi të dy popujve dëme kolosale materiale. Megjithatë populli iranian me unitet dhe sakrifica të panumërta mbrojti lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të vendit dhe sistemin e RII dhe nuk e lejoi armikun të arrijë qëllimet e tij të errëta. Kjo luftë 8 vjeçare përfundoi në gusht të vitit 1988. Populli iranian nga agresioni i Sadamit mësoi mësimin e madh se në botën aktuale dhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare askush nuk i ndihmon popujt e shtypur dhe të pushtuar, por vetë popujt duhet të jenë të gatshëm për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tyre. Gatishmëria e lartë mbrojtëse e Iranit i ka detyruar armiqtë të mendohen mirë para se të vendosin për sulm kundër Iranit. Populli mysliman iranian ka mbrojtur entuziazmin revolucionar dhe frymën kundërshtuese ndaj sistemit shtypës. Sot shembujt e mëdhenj për të rinjtë iranianë janë luftëtarët të cilët gjatë 8 viteve të mbrojtjes së lavdishme mbrojtën fenë dhe atdheun me trimëri dhe sakrifica të panumërta duke e larë këtë tokë me gjakun e tyre. Krahasimi i gjendjes aktuale në Iran me kohën e luftës së Sadamit kundër Iranit tregon se tashmë RII me një forcë politike, ekonomike dhe ushtarake shumë më të madhe si dhe me përkrahjen e vendosur të popullit është e gatshme ti përgjigjet me përgjigjen më të ashpër çdo agresori.