Irani do të zgjerojë bashkëpunimin bërthamor me Europën
Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit deklaroi se bashkëpunimi bërthamor mes Iranit dhe Europës po zgjerohet me ritme të shpejta.
Ali Akbar Salehi, kryetar i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit në një intervistë me agjencinë e lajmeve IRNA, tha se Irani ka marrëveshje bashkëpunimi me vendet europiane në fushën e teknologjisë bërthamore dhe dje nënshkroi një kontratë me Zvicrën në fushën e sigurisë bërthamore. Ai shtoi se RII ka bashkëpunim bërthamor edhe me kompaninë e BE, Euroatom si dhe me kompaninë europiane Jet, që është aktive në fushën e teknologjisë bërthamore. Ndër të tjera, Salehi tha se marrëveshja bërthamore dhe programi i përbashkët i veprimit do të qëndrojë efikas deri në kohën kur palët të zbatojnë angazhimet e tyre. Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit tha se marrëveshja bërthamore ka hasur në disa pengesa të palës tjetër dhe Republika Islamike e Iranit shpreson që këto pengesa të hiqen. Ali Akbar Salehi ndodhet në Vjenë për të marrë pjesë në takimin e 60-të vjetor të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Gjatë qëndrimit në Vjenë ai u takua me sekretarin amerikan të energjisë, kreun e kompanisë Rusatom, drejtorin e përgjithshëm të ANEA dhe me krerët e agjencive të energjisë atomike të Anglisë, Francës dhe Kinës dhe përfaqësues të BE.