Irani vlerëson rezistencën e Palestinës në përvjetorin e Intifadës së Kodsit
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit me rastin e përvjetorit të Intifadës së Kodsit, vlerësoi lartë rezistencën e popullit dhe të grupeve palestineze kundër regjimit okupator sionist.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Bahram Ghasem, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, të dielën me rastin e përvjetorit të parë të Intifadës së Kodsit dhe rezistencës së popullit dhe të grupeve palestineze përballë regjimit okupator sionist, vlerësoi lartë sakrificën e dëshmorëve të Intifadës së Kodsit të cilët me flijimin e gjakut të tyre, treguan një rezistencë të lartë përballë regjimit okupator sionist. Bahram Ghasemi tha se veprimet e dhunshme të regjimit sionist në shkeljen e të drejtave të palestinezëve, hebreizimi i Kodsit të shenjtë, përdhosja e shenjtërisë së xhamisë Al-Aksa, zgjerimi i kolonive sioniste, si dhe burgosja dhe torturimi i palestinezëve, janë veprime të urryera nga Bashkësia Ndërkombëtare. Bahram Ghasemi shtoi: "Me vazhdimin e rezistencës së Palestinës, do të dështojnë përpjekjet dhe politikat e dhunshme të regjimit sionist për të pushtuar tërësisht territoret e Palestinës". Vlen të theksohet se të shtunën më 1 tetor 2016, është shënuar përvjetori i parë i Intifadës së Kodsit të popullit palestinez kundër regjimit sionist. Një vit më parë në ditë si kjo si pasojë e shtimit të sulmeve të sionistëve kundër Kodsit dhe xhamisë Aksa, si dhe për shkak të përpjekjeve të sionistëve për ndarjen kohore dhe vendore të këtij vendi të shenjtë, ka filluar Intifada e Kodsit e cila po vazhdon akoma.