Irani i gatshëm për të ndihmuar operacionet paqeruajtëse të OKB
Republika Islamike e Iranit ka deklaruar gatishmërinë e saj për të ndihmuar operacionet paqeruajtëse të OKB nëpërmjet ofrimit të shërbimeve logjistike dhe dërgimin e forcave ushtarake në misionet paqeruajtëse.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Gholamhusein Khoshru, përfaqësuesi i Iranit në OKB, të martën në komitetin e katërt të AP të OKB në lidhje me operacionet paqeruajtëse, deklaroi: "Krijimi i çfarëdo mekanizmave për zgjidhjen e sfidave përpara operacioneve paqeruajtëse, dërgimi i trupave paqeruajtëse ose vazhdimi i misionit të operacioneve të ndryshme në këtë drejtim, duhet të bëhet duke respektuar objektivat dhe parimet e theksuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Z. Khoshru në vazhdim shtoi: Parimet si pëlqimi i palëve të tjera, mosshfrytëzimi i forcës përveç në vetëmbrojtje, paanshmëria, respektimi i parimeve të sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit territorial të vendeve, si dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme të vendeve, duhet të respektohen në mënyrë të plotë gjatë misioneve paqeruajtëse. Khoshru ka theksuar se çfarëdo lloj ndërhyrje ushtarake nga OKB ose nga çfarëdo force tjetër e huaj që bëhet me pretekste të mbështetjes ndaj civilëve, nuk është e pranueshme dhe gjithashtu duhet të tregohet përkushtim i madh në luftën kundër keqshfrytëzimeve dhe abuzimeve të ndryshme që mund të kryhen nga forcat paqeruajtëse.