Zbulohet një dron i ri nga inxhinierët iranianë
Irani ka zbuluar një dron të ri, i aftë për të fluturuar në një lartësi maksimale prej 3048 metra.
Ky dron u zbulua të mërkurën në ekspozitën e prezantimit të arritjeve nga ana e aviacionit iranian dhe Asociacionit të industrisë së hapësirës. Hamed Saedi, përfaqësues i këtij asociacioni, tha se ky dron peshon më pak se 20 kg dhe mund të fluturojë deri në 15 orë dhe të kryej misione jo-ushtarake, si p.sh filmime dhe mbledhje të imazheve. Ai shtoi se Irani planifikon eksportimin e këtij droni në vende të ndryshme. Gjatë këtij muaji, Garda Revolucionare e RII ka zbuluar një tjetër dron të quajtur “Saeghe”, i projektuar në bazë të dronit amerikan RQ-170, që ishte kapur në dhjetor të vitit 2011 duke fluturuar mbi hapësirën ajrore të RII. Në vitet e fundit, Irani ka bërë përparime të mëdha në sektorin e mbrojtjes, duke arritur vetë-mjaftueshmërinë në prodhimin e pajisjeve dhe sistemeve të rëndësishme ushtarake. Republika Islamike e Iranit pohon se forca e saj ushtarake nuk përbën kërcënim për vendet e tjera, duke theksuar se doktrina e saj mbrojtëse është thjesht e bazuar në parandalim.