Ruhani uron Michael Aun
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit në një bisedë telefonike me Michael Aun, ka uruar atë për zgjedhjen president të Libanit dhe u shpreh optimist se në periudhën e re do të zgjerohen edhe më tepër marrëdhëniet Teheran-Bejrut.
Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, të hënën në një bisedë telefonike me Michael Aun, deklaroi se zgjedhja e tij si president i ri i Libanit është manifestim i qetësisë dhe fitore e demokracisë për të gjitha partitë politike në Liban. Ruhani tha se Republika Islamike e Iranit është e gatshme për zgjerimin e marrëdhënieve me vendin mik Libanin në të gjitha fushat. Republika Islamike e Iranit beson se kjo zgjedhje e cila është zhvilluar me anë të zgjedhjeve të shëndosha dhe të lira, nuk është fitore e një partie të veçantë, por manifestim i bashkëjetesës paqësore të të gjitha grupeve dhe palëve në Liban, prandaj konsiderohet një sukses shumë i mirë për popullin e Libanit. Ruhani u shpreh i kënaqur për përfundimin e bllokadës politike në Liban në lidhje me zgjedhjen e presidentit të këtij vendi dhe theksoi se Republika Islamike e Iranit gjithnjë theksonte se në rast të heqjes së presioneve të huaja mbi Libanin, populli i Libanit do të ketë mundësi më të mirë për zgjedhjen e presidentit të ri të këtij vendi. Nga ana e tij, Michael Aun, presidenti i ri i Libanit, falënderoi z. Hasan Ruhani dhe theksoi se Libani gjithnjë është i gatshëm për zgjerimin e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit. Vlen të theksohet se Parlamenti i Libanit dje me anë të votimit ka zgjedhur Michael Aun për president të këtij vendi.