Ruhani: Teherani dëshiron zgjerimin e marrëdhënieve me Moskën në të gjitha fushat
Presidenti RII theksoi se Rusia është një nga vendet mike dhe fqinje të Iranit në rajon dhe Teherani dëshiron zgjerimin e marrëdhënieve me Moskën në të gjitha fushat.
Dr. Hasan Ruhani, president i RII, priti sot në Teheran znj. Valentina Madvjenko, kryetare e Këshillit të Federatës Ruse, ku theksoi se zgjerimi i bashkëpunimi i bashkëpunimit mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Teheran-Moskë. Presidenti Ruhani tha se marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë ndodhen në nivelin më të mirë dhe se klima e krijuar nga marrëveshja bërthamore, duhet të shfrytëzohet edhe më shumë për forcimin e marrëdhënieve Teheran-Moskë në sektorët e ekonomisë, kulturës, shkencës dhe teknologjisë. Presidenti iranian mirëpriti zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë në sektorin e energjisë, e në veçanti të energjisë bërthamore dhe e vlerësoi tepër konstruktiv rolin e Moskës në arritjen e marrëveshjes bërthamore. Dr. Ruhani foli edhe për fenomenin shqetësues të terrorizmit në rajon dhe në botë dhe shtoi se aktualisht ekziston një bashkëpunim strategjik mes Iranit dhe Rusisë në luftën kundër terrorizmit dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë deri në zhdukjen e plotë të terrorizmit në rajon. Shefi i pushtetit ekzekutiv të Iranit, grupet terroriste i cilësoi tepër të rrezikshme për rajonin dhe për botën dhe theksoi se Irani dhe Rusia duhet të vazhdojnë përpjekjet për zhdukjen e terrorizmit, për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe të ndihmojnë popullin sirian për të mposhtur terroristët dhe për të vendosur vetë për fatin e Sirisë. Nga ana e saj znj. Velnentina Madvjenko, kryetare e Këshillit të Federatës Ruse, duke theksuar se Moska dëshiron zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me RII në të gjitha fushat, shtoi se marrëveshja bërthamore ka hapur horizonte të reja bashkëpunimi mes dy vendeve dhe kompanitë ruse, e në veçanti kompanitë që janë aktive në sektorin e energjisë, dëshirojnë të jenë të pranishme në projektet madhore energjetike të Iranit. Znj. Mavdvjenko tha se bashkëpunimi dhe koordinimi Teheran-Moskë në luftën kundër terrorizmit, është tepër i rëndësishëm dhe anëtarët e Këshillit të Federatës Ruse përkrahin çdo përpjekje për zgjerimin e marrëdhënieve mes Iranit dhe Rusisë si dy vende të mëdha, të fuqishme, fqinje dhe mike.