Ruhani dhe Putin bisedojnë rreth çështjeve bilaterale dhe rajonale
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit dhe presidenti i Rusisë kanë theksuar që njëkohësisht me fitoret e popullit dhe të ushtrisë së Sirisë kundër terroristëve dhe vazhdimit të luftës kundër terroristëve, të vazhdojnë edhe negociatat politike me qëllim arritjen e një rrugëzgjidhje e cila do të pranohet nga populli i Sirisë.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Hasan Ruhani të shtunën në një kontakt telefonik me Vladimir Putin, vuri në dukje fitoren e ushtrisë së Sirisë kundër terroristëve sidomos në Alepo dhe deklaroi: "Kjo fitore u ka dhënë një mesazh terroristëve që ata nuk mund të realizojnë qëllimet e tyre nëpërmjet krimeve dhe njëkohësisht me këto fitore duhet të fillojnë negociatat politike". Presidenti i Iranit në vazhdim tha se zhvillimi i negociatave në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit, është një hap para dhe Kazakistani është vend i përshtatshëm për negociatat e paqes mes grupeve të ndryshme opozitare dhe Qeverisë së Sirisë. Z. Ruhani gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për Qeverinë dhe popullin rus për vrasjen e ambasadorit të Rusisë në Ankara dhe deklaroi: "Ky veprim tregon se duhet të jemi plotësisht të kujdesshëm, sepse terroristët me forma dhe metoda të reja kanë filluar të kryejnë sulme terroriste". Presidenti i Iranit duke theksuar përpjekjet për çlirimin e Sirisë në rajone të ndryshme që po mbahen akoma nën rrethimin e terroristëve dhe gjithashtu nevojën për dërgimin e ndihmave humanitare dhe medikamenteve, deklaroi: "Duhet patur kujdes sepse grupet terroriste duke shfrytëzuar rastet e armëpushimit, mund të ripërtërinë forcat e tyre dhe rajone të tjera t'i shndërrojnë në baza të tyre të reja". Nga ana e tij presidenti i Rusisë Vladimir Putin në këtë bisedë telefonike uroi fitoren e ushtrisë së Sirisë kundër terroristëve sidomos në qytetin Alepo dhe deklaroi: "Bashkëpunimi dhe koordinimi Teheran-Moskë i cili deri më tani është bërë në kuadër të politikës konstruktive në arenën ndërkombëtare, do të vazhdojë edhe në të ardhmen". Në këtë bisedë telefonike të dy palët gjithashtu theksuan vazhdimin e kontakteve, bashkëpunimeve dhe koordinimeve Teheran-Moskë.