Zarif dhe Lavrov mirëpresin vendosjen e armëpushimit në Siri
Ministrat e jashtëm të Iranit dhe Rusisë e mirëpritën vendosjen e armëpushimit në Siri.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij iranian Muhamed Xhevad Zarif, gjatë një bisede telefonike biseduan në lidhje me zhvillimet më të fundit në Siri si dhe marrëveshjen e armëpushimit në këtë vend. Të dy ministrat shprehën besimin se situata në Siri do të përmirësohet dukshëm pas kësaj marrëveshjeje dhe theksuan vullnetin e Rusisë dhe Iranit për të vazhduar luftën kundër terroristëve ISIS dhe Frontit Al-Nusra dhe grupeve të tjera të varura prej tyre. Ministrat e jashtëm të Iranit dhe Rusisë u shprehën të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë në përkrahjen e procesit të negociatave mes qeverisë dhe opozitës siriane që do të zhvillohen në Astana të Kazakistanit. Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë siriane publikoi një komunikatë ku deklaroi se që nga mesnata e 30 dhjetorit do të ndalen të gjitha operacionet ushtarake, ndërsa grupet terroriste ISIS dhe Al-Nusra nuk janë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.