Bisedë telefonike Ruhani-Putin
Presidentët e Iranit dhe Rusisë diskutuan sot mbi nevojën e bashkëpunimit Teheran-Moskë për inkurajimin e negociatave të paqes në Siri.
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit z. Hasan Ruhani dhe presidenti i Federatës Ruse z. Vladimir Putin deklaruan se bashkëpunimi mes Iranit dhe Rusisë është vendimtar në zgjidhjen politike të krizës siriane. Ruhani pasi i uroi festën e Vitit të Ri presidentit Putin, tha se Teherani mirëpret marrëveshjen e armëpushimit në Siri që ishte rezultat i bashkëpunimit mes Iranit, Rusisë dhe Sirisë dhe shtoi se është i domosdoshëm koordinimi i këtyre vendeve për suksesin e bisedimeve të paqes që pritet të zhvillohen në Astana të Kazakistanit. Presidenti iranian theksoi nevojën e shtimit të ndihmave humanitare për popullin sirian dhe të respektimit të armëpushimit në Siri. Nga ana e tij, presidenti rus tha se armëpushimi në Siri është rezultat i të gjitha vendeve që dëshirojnë paqe në Siri e në veçanti e përpjekjeve të Iranit dhe Rusisë dhe shtoi: “Detyra e të gjithëve është ruajtja e suksesit të arritur në Siri dhe vazhdimi i luftës kundër terrorizmit.” “Sigurisht, Rusia nuk do të lejojë që marrëveshja e armëpushimit të përfshijë grupet terroriste ISIS dhe Al Nusra”-deklaroi Vladimir Putin.