Hollande premton se do të parandalojë fitoren e Le Pen
Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka premtuar se do të marrë të gjitha masat për të parandaluar fitoren e Marine Le Pen kryetare e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional në Francë.
Sipas një njoftimi të Press Tv, presidenti francez, tha se Le Pen përbën kërcënim për Francën dhe Evropën dhe shtoi se misioni i tij përfundimtar është parandalimi i fitores së Le Pen në zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë Alan Juppe nuk do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze. Ish-kryeministri i dha fund hamendësimeve se mund të shërbente si alternativë e kënaqshme ndaj Francois Fillon-it të përfshirë nga skandali i punësimeve fiktive. Sondazhet e opinionit tregojnë se Juppe do të kishte ecur shumë mirë në raundin e dyte. “E konfirmoj për të fundit herë se nuk do të jem kandidat për kryesinë e Republikës. Është tepër vonë për mua tani që të dal në skenë e të bashkoj njerëzit”, tha Alain Juppe. Që kur humbi parapraket përballë Fillon-it, Juppe e ka përsëritur vazhdimisht se nuk dëshiron të kandidojë vetëm për të qenë një plan B. Kryebashkiaku i Bordosë e kritikoi ashpër rivalin për kryeneçësinë e treguar në mosbesimin ndaj sistemit të drejtësisë apo akuzat ndaj medias, e tha se ky qëndrim e ka çuar atë “në qorrsokak”. 63-vjeçari Fillon deri në shpërthimin e skandalit në mesin e muajit janar, konsiderohej si favoriti i qartë i garës presidenciale në Francë.