Zëdhënësi Kasemi dënon sulmet ndaj qendrave fetare dhe vrasjen e civilëve
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit pasi dënoi sulmin ajror të Amerikës ndaj një xhamie në periferi të Alepos në veri të Sirisë tha se sulmet ndaj qendrave dhe vendeve fetare, me çfarëdo qëllimi që ato të kenë, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme.
Mbrëmjen e së enjtes, avionët luftarakë të Amerikës kanë bombarduar një xhami në periferi të qytetit Alepo duke lënë të vrarë 40 besimtarë dhe plagosur me dhjetëra të tjerë në kohën kur ata po falnin namazin. Behram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit duke reaguar ndaj këtij sulmi tha: Pranimi i përgjegjësisë së këtij sulmi nga oficerët e forcave amerikane dhe deklarimi i shkaqeve dhe objektivave të këtij sulmi, nuk mund të jenë elementë justifikues. Avionët luftarakë amerikanë deri më sot kanë kryer shumë sulme ndaj civilëve në Siri duke lënë të vrarë e të plagosur me qindra civilë. Sipas funksionarëve sirianë, pas disfatave të fundit të grupeve terroriste në Siri, Amerika duke kryer bombardime dhe duke futur trupa ushtarake në territorin sirian mundohet të inkurajojë grupet terroriste dhe dobësojë forcat ushtarake dhe ato popullore të Sirisë.