Irani: Amerika duhet të gjykohet për vrasjen e civilëve
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaroi se SHBA duhet të adresohen urgjentisht në një gjykatë ndërkombëtare të drejtësisë për sulmet ajrore në qytetin irakian të Mosulit që thuhet se vrau një numër të madh të civilëve.
"Ky krim lufte është i ngjashëm me sjelljen e ISIS dhe të grupeve të tjera takfiriste që vënë në shënjestër civilët dhe njerëzit e pafajshëm, prandaj Amerika duhet të adresohet urgjentisht në gjykatat e drejtësisë", tha Admiral Ali Shamkhani. SHBA pranuan se kishin kryer një sulm mbi një vend në perëndim të Mosulit në të cilin 17 civilë u vranë, por zyrtarët irakianë kanë deklaruar se në këtë sulm janë vrarë mbi 200 civilë irakianë. "Qëllimshmëria ose joqëllimshmëria e këtij akti kriminal nuk pakëson përgjegjësinë amerikane," tha Shamkhani. Kombet e Bashkuara deklaruan se ishin "habitur nga humbja e tmerrshme e jetës" në sulmet ajrore amerikane në të cilat u vranë më shumë se 200 njerëz që po largoheshin nga pjesa perëndimore e Mosulit. "Vrasja e njerëzve të pafajshëm nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit është politika bashkëkohore e ushtrisë amerikane në rajon," tha Admiral Shamkhani.