Ruhani: Marrëdhëniet Iran-Rusi janë në favor të rajonit
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit ka mbërritur të hënën pasdite në Moskë për një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit rus Vladimir Putin. Hasan Ruhani, president i Republikës Islamike të Iranit do të pritet sot nga kryeministri rus Dmitri Medvedev dhe nesër do të takohet në Kremlin me homologun rus Vladimir Putin.
Para nisjes për në Moskë, presidenti iranian u deklaroi gazetarëve se marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë janë në interes të të dyja vendeve si dhe në favor të të gjitha vendeve të rajonit. “Kemi marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me Rusinë dhe Teherani dhe Moska bashkëpunojnë ngushtë për zgjidhjen e problemeve rajonale e ndërkombëtare. Marrëdhëniet Teheran-Moskë kurrë nuk do të jenë kundër një vendi të tretë”-deklaroi presidenti Ruhani. Ai theksoi se Irani dhe Rusia kanë filluar një bashkëpunim të frytshëm në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes, energjisë dhe shprehu besimin se vizita e tij në Moskë do të ndikojë në thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Z. Hasan Ruhani gjatë vizitës në Rusi shoqërohet nga ministri i jashtëm, nga ministri i naftës, ministri i industrisë, minierave dhe tregtisë, si dhe nga shefi i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit, nga shefja e organizatës për mbrojtjen e ambientit, nga shefi i organizatës për trashëgimi kulturore dhe turizëm dhe nga guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit gjatë vizitës së tij dyditore në Moskë do të takohet dhe bisedojë me funksionarët e lartë të Rusisë në lidhje me marrëdhëniet dhe perspektivën e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral, investimit dhe progresit në zbatimin e projekteve të përbashkëta.