Putin: Irani, fqinj i mirë dhe partner i besueshëm
Presidentët e Iranit dhe Rusisë, u takuan sot në Kremlin ku kërkuan thellimin e bashkëpunimit Teheran-Moskë në të gjitha fushat.
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se Irani dhe Rusia kanë bashkëpunuar ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. “Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë synojnë garantimin e sigurisë së rajonit dhe objektivi kryesor i dy vendeve është vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”-deklaroi presidenti iranian Hasan Ruhani në takimin e zhvilluar sot në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Në këtë takim, presidenti i RII tha se Irani i kushton një rëndësi të veçantë forcimit të marrëdhënieve me Rusinë dhe shtoi se gjatë 3 viteve të kaluara Teherani dhe Moska kanë hedhur hapa të rëndësishëm dhe pozitivë në thellimin e bashkëpunimit bilateral. “Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë kanë hyrë në një fazë të re në kuadër të një partneriteti strategjik afatgjatë”-deklaroi z. Ruhani duke shprehur besimin se Teherani dhe Moska do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm drejt thellimit të marrëdhënieve. Nga ana e tij, presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, deklaroi se Irani është një fqinj i mirë dhe partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm për Rusinë. Putin tha se Teherani dhe Moska kanë bashkëpunuar në mënyrë tepër efikase në të gjitha fushat, përfshi edhe zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare. Presidenti rus shprehu kënaqësinë për rritjen e dukshme të marrëdhënieve mes dy vendeve sidomos në sektorin e ekonomisë dhe tha se gjatë vitit 2016, vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes Iranit dhe Rusisë ka qenë 70 % më i lartë se viti i mëparshëm. Vladimir Putin tha se Moska është e hapur për zgjerimin e marrëdhënieve me Teheranin në të gjitha fushat.