Konferencë shtypi e presidentëve të Iranit dhe Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i47804-konferencë_shtypi_e_presidentëve_të_iranit_dhe_rusisë
Pas takimit të tyre në Moskë, presidentët e Iranit dhe Rusisë morën pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 28, 2017 15:52 Europe/Tirane
  • Konferencë shtypi e presidentëve të Iranit dhe Rusisë

Pas takimit të tyre në Moskë, presidentët e Iranit dhe Rusisë morën pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi.

Duke ju drejtuar gazetarëve, Putin tha se në bisedimet e tij me presidentin Ruhani, ata kanë diskutuar zgjerimin e mëtejshëm të investimeve dhe transferimit të teknologjisë ndërmjet Teheranit dhe Moskës. Vladimir Putin shtoi se gjatë bisedimeve një vëmendje e veçantë i është kushtuar vazhdimit të bashkëpunimit për energjinë paqësore bërthamore mes dy vendeve. Presidenti rus tha se njësia e parë e centralit bërthamor të Bushehrit, në Iranin jugor, është duke operuar me kapacitet të plotë, duke vënë në dukje se Rusia po planifikon për të ndërtuar centralin e dytë dhe të tretë atomik në Bushehr. Ai shtoi se Moska i ka ofruar 4.2 miliardë dollarë kredi Iranit për ndërtimin e një centrali termik të energjisë dhe elektrifikimin e një hekurudhë që lidh qytetin qendror iranian Semnan me qytetin verilindor të Incheborun. Putin shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të bërë investime në sektorët e naftës dhe gazit të Iranit. Duke folur për qëndrime të ngjashme të marra nga Irani dhe Rusia në një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare, Putin tha se të dy palët kanë theksuar vendosmërinë e tyre për të vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon. Ai vuri në dukje se Teherani dhe Moska kanë rënë dakord për të shtyrë përpara fushatën kundër grupeve terroriste që veprojnë në rajon, veçanërisht kundër ISIS-it dhe frontit al-Nusra. Presidenti rus theksoi gjithashtu rëndësinë e vendosjes të një armëpushimi të qëndrueshëm në Siri përmes bashkëpunimit të Rusisë, Iranit dhe Turqisë, duke vënë në dukje se Teherani dhe Moska i kushtojnë rëndësi të madhe restaurimit të  sigurisë në Siri. Putin gjithashtu deklaroi se Rusia e përkrah anëtarësimin e Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Presidenti iranian, nga ana e tij, tha se kishte diskutuar me homologun e tij rus për situatën në Siri dhe Jemen. z. Hasan Ruhani tha se të dy palët kishin shqyrtuar mënyrat e përmirësimit të paqes dhe sigurisë rajonale dhe krijimin e marrëdhënieve të ngushta midis kombeve dhe vendeve të rajonit. Presidenti i Iranit shtoi se Teherani dhe Moska do të vazhdojnë fushatën e tyre kundër terrorizmit derisa terrorizmi të jetë zhdukur plotësisht në të gjithë rajonin. Ai më tej përshëndeti rolin e Rusisë në arritjen e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe G 5 + 1 dhe tha se Teherani dhe Moska do të forcojnë më tej bashkëpunimin në këtë drejtim.