Irani i përgjigjet Ligës Arabe
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit duke reaguar ndaj deklaratës së takimit të liderëve të vendeve të Ligës Arabe, deklaroi se RII nuk ka nevojë të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe fqinjësia e mirë dhe mosndërhyrja në punët e brendshme është politikë e përhershme dhe e pandryshueshme e Iranit.
Behram Kasemi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, duke shprehur keqardhjen për përsëritjen e disa akuzave të pabaza kundër Iranit gjatë takimit të liderëve të vendeve të Ligës Arabe në Jordani, deklaroi: “Disa krerë arabë dhe islamikë, në vend që të trajtojnë problemet dhe kërcënimet kryesore me të cilat përballet bota islame, po gabojnë në perceptimin e miqve dhe armiqve”. Sa i përket përsëritjes së pretendimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe mbi tre ishujt iranianë në Gjirin Persik, z. Kasemi theksoi: “Këta ishuj kanë qenë dhe do të mbeten përjetësisht pjesë e pandarë e territorit të Iranit, ndërsa përsëritja e pretendimeve të bazuara në gënjeshtra e falsifikime nuk do të ndryshojë të vërtetën historike”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit shprehu keqardhjen për përpjekjet e disa vendeve arabe për tu pajtuar me regjimin e Izraelit dhe për të shpallur Iranin si kërcënimin dhe rrezikun kryesor, shtoi: “Krimet dhjetëra vjeçare të regjimit sionist kundër myslimanëve dhe arabëve nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa e popujve të rajonit, ndërsa Irani gjithmonë ka ndihmuar çdo popull mysliman për të fituar të drejtat e tij legjitime”.