Irani dënon çdo përdorim të armëve kimike
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të RII, duke folur për përdorimin e armëve kimike në Idlib të Sirisë, deklaroi se Teherani dënon përdorimin e armëve kimike dhe kërkon dënimin e autorëve të këtij krimi.
Sulmi me armë kimike në rajonin Khan Sheikhun në jug të Idlibit shkaktoi mbi 100 të vrarë dhe rreth 400 të plagosur. Z. Behram Kasemi, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të RII, deklaroi se përdorimi i armëve kimike në Idlib nuk është hera e parë që përdoren të tilla armë gjatë konfliktit në Siri dhe askush nuk duhet të paragjykojë e të nxitohet në akuzimin e palëve, sepse shpeshherë sulmet me armë kimike në Siri janë shfrytëzuar për qëllime propagandistike. “Një nga qëllimet e këtij krimi të shëmtuar është sabotimi i procesit të zgjidhjes politike të krizës siriane”, deklaroi z. Kasemi duke shtuar: “Përvoja dëshmon se grupet terroriste në Siri kanë depozituar dhe përdorur armë kimike, prandaj Irani është i mendimit se injorimi i nevojës së eliminimit të armëve kimike të këtyre grupeve përbën një mangësi themelore në procesin e zhdukjes së armëve kimike në Siri”.