Irani dënon sulmin e përgjakshëm terrorist në Paris
Irani ka dënuar sulmin vdekjeprurës të ISIS që goditi Parisin para zgjedhjeve presidenciale në Francë, duke u bërë thirrje të gjitha vendeve botërore të bashkohen "me vendosmëri të fortë" dhe të ndihmojnë në çrrënjosjen e kërcënimit të terrorizmit.
Në një deklaratë të premten, zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të RII z. Behram Kasemi tha se përkrahja perëndimore për "terroristët kriminelë" dhe standardet e tij të dyfishta në trajtimin e çështjes së terrorizmit nxitën terroristët për të nisur një sulm tjetër në zemër të Evropës. Kasemi tha se terrorizmi është "kërcënimi i parë dhe i menjëhershëm kundër paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale", duke theksuar se goditja "nuk mund të eliminohet pa konsensus, si dhe pa një vullnet të fortë dhe të ndershëm midis pjesëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare". Të enjten në mbrëmje një polic francez u qëllua për vdekje dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në Paris, në një sulm të pretenduar se është kryer nga grupi terrorist ISIS.