Debati i parë televiziv i kandidatëve për president të Iranit
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i49852-debati_i_parë_televiziv_i_kandidatëve_për_president_të_iranit
Sot pasdite, u zhvillua debati i parë televiziv midis gjashtë kandidatëve të zgjedhjeve të 12-ta presidenciale në Iran që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 28, 2017 15:48 Europe/Tirane
  • Debati i parë televiziv i kandidatëve për president të Iranit

Sot pasdite, u zhvillua debati i parë televiziv midis gjashtë kandidatëve të zgjedhjeve të 12-ta presidenciale në Iran që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.

Kandidatët prezantuan në vija të përgjithshme planet e tyre nëse zgjidhen në postin e presidentit. Transmetimi i drejtpërdrejtë synon të zvogëlojë shpenzimet e fushatës së kandidatëve dhe të hapë rrugën për votuesit e mundshëm për të bërë zgjedhjen e tyre bazuar në planet e qarta të paraqitura gjatë programit. Të gjashtë kandidatët që konkurrojnë për zgjedhjet presidenciale janë Mustafa Aga Mirsalim, Mustafa Hashemi Taba, Is'hak Xhahangiri, Hasan Ruhani, Muhamed Bager Kalibaf dhe Sejed Ibrahim Reisi. Iranianët do të shkojnë në votime më 19 maj 2017 për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit. I pari që e mori fjalën në debatin televiziv ishte Mustafa Aga Mirsalim, i cili tha se menaxhimi korrekt i burimeve ujore do të ishte hapi i parë për të zvogëluar imigracionin nga zonat rurale në qytete. Ai shtoi se mungesa e vëmendjes për planifikimin e duhur hapësinor ishte arsyeja kryesore për imigracionin dhe për braktisjen e zonave rurale. Kandidati tha se pasuritë sociale duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë në qytete dhe fshatra dhe vuri në dukje se strehimi i përshtatshëm duhet të sigurohet në qytetet dhe fshatrat e vogla për të parandaluar imigracionin. Pas tij, e mori fjalën Sejed Ibrahim Reisi, i cili tha se statistikat e shpërndarjes së të ardhurave të banorëve të vendit, tregojnë se distanca mes shtresave të ndryshme të popullsisë  është rritur në Iran, duke shtuar se trefishimi i subvencioneve të dhëna për shtresat e ulëta do të ishte një mënyrë e mirë për të ngushtuar hendeqet shoqërore. Ai vuri në dukje se evazioni fiskal duhet të parandalohet për të promovuar drejtësinë shoqërore. Kandidati i tretë që mori fjalën ishte Mustafa Hashemi Taba, i cili foli për problemin e strehimit. Ai tha se kreditë bankare dhe ndërtimi masiv do të ishin mënyra të mira për të trajtuar problemin e strehimit, duke shtuar se krijimi i vendeve të punës do të ndihmonte në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Hasan Ruhani, në fjalën e tij tha se papunësia ishte problemi kryesor me të cilin përballet promovimi i martesës së të rinjve dhe shtoi se rritja e shpresës dhe shmangia e kufizimeve të panevojshme në shoqëri janë çelësi për zgjidhjen e problemeve. Ai tha se shpresa për të ardhmen është rritur në shoqërinë iraniane dhe punësimi është përmirësuar. Kandidati tjetër, Is’hak Xhahangiri tha se administrata aktuale ka arritur të ndryshojë qasjen ndaj çështjeve sociale dhe shtoi se shumica e iranianëve nuk janë të kënaqur me bashkitë dhe bankat. Zëvendëspresidenti aktual tha se krijimi i një qeverie elektronike ishte hapi madhor për të reduktuar burokracinë. Muhamed Bager Kalibaf, kryebashkiak i Teheranit, në fjalën e tij ceku çështjet e mbrojtjes së ambientit.  Kalibaf mbrojti punën e Bashkisë së Teheranit në sektorin e mbrojtjes së mjedisit, duke thënë se Bashkia ka përdorur mbeturinat për të gjeneruar energji. Kryebashkiaku i Teheranit shtoi se mbi 20,000 hektarë janë mbjellë me pemë rreth kryeqytetit.