Irani: Arabia Saudite simbol i dhunës në rajon
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i50318-irani_arabia_saudite_simbol_i_dhunës_në_rajon
Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Golam Ali Khoshro, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime kundër mbështetjes së Arabisë Saudite për terrorizmin dhe ekstremizmin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 05, 2017 15:24 Europe/Tirane
  • Irani: Arabia Saudite simbol i dhunës në rajon

Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Golam Ali Khoshro, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime kundër mbështetjes së Arabisë Saudite për terrorizmin dhe ekstremizmin.

"Është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë veprime të nevojshme për të detyruar Arabinë Saudite që të ndalojë sponsorizimin e saj të pamatur të terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon dhe në të gjithë globin", shkruan Khoshrou në një letër të enjten dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Këshillit të Sigurimit. Diplomati iranian shprehu gatishmërinë e Teheranit për të mbajtur dialog me Arabinë Saudite për të promovuar paqen rajonale përkundër vërejtjeve të "paligjshme dhe të pabaza" nga zv/princi i kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman Al Saud, kundër Iranit. Të martën, Selman i cili është gjithashtu edhe ministër i mbrojtjes i Arabisë Saudite, ka përjashtuar çdo mundësi për relaksimin e marrëdhënieve me Iranin, pasi Teherani njoftoi për mundësinë e uljes së tensioneve nëse Riadi ndërpret sulmet kundër Jemenit. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit duke reaguar ndaj deklaratave armiqësore të zv/princit trashëgimtar të Arabisë Saudite kundër Iranit, theksoi: “Këto deklarata janë dëshmi e qartë e nxitjes së terrorizmit dhe e politikave destruktive të sauditëve kundër Iranit dhe rajonit”. Të mërkurën, Behram Kasemi, zëdhënës i MPJ të Iranit, tha se deklaratat e Muhamed bin Selman, në rastin më të mirë mund të konsiderohen si pasojë e ”kuptimit të gabuar të rrethanave në rajon”. Kasemi shtoi: “Deklaratat e zv/princit trashëgimtar të Arabisë Saudite nuk përputhen aspak me rrethanat aktuale në rajon dhe Republika Islamike e Iranit me fjalë dhe me vepra është përpjekur të shfrytëzojë pikat e përbashkëta për arritjen e mirëkuptimit dhe për hapjen e derës së bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit”. ”Ajo që ka rëndësi për RII është uniteti islamik për daljen nga kriza në të cilën është zhytur rajoni”- deklaroi zëdhënësi i MPJ të Iranit duke shtuar: “Burimi i kësaj krize të thellë janë ndërhyrjet e fuqive të huaja dhe rritja e ideve ekstremiste dhe e terrorizmit takfiristë që bazohet në ideologjinë vehabiste që ushqehet nga Arabia Saudite”. Muhamed bin Selman, zv/princi trashëgimtar i Arabisë Saudite, deklaroi se “Rijadi nuk do të arrijë në mirëkuptim me Teheranin” dhe akuzoi Iranin se synon të sundojë botën islame. E vërteta është se rajoni përballet me një Arabi Saudite që ndërhyn në vendet e tjera, përhap terrorizmin dhe krijon pengesa për zhvillimin ekonomik të rajonit. Regjimi Al Saud, ashtu si SHBA nuk ka dëshirë të luftojë terrorizmin, sepse nëpërmjet terrorizmit synon të realizojë qëllimet e saj në rajon.  Pushtetarët sauditë akuzojnë Iranin për ndërhyrje në vendet e rajonit, por është e nevojshme t’i hedhin një sy katastrofës që ata kanë krijuar në rajon gjatë viteve të fundit. Akuzat dhe turfullimet e sundimtarëve sauditë nuk mund të mbulojnë faktin se zgjerimi i ideve dhe mendimeve devijuese dhe obskurantiste vehabistë nën kujdesin e regjimit Al Saud ka shkaktuar krijimin e rrymave dhe grupeve terroriste-takfiriste në Azinë Perëndimore dhe në Afrikën Veriore.