Miratohet plani për përballje me veprimet aventureske të SHBA kundër Iranit
Komisioni për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare i Parlamentit islamik të Iranit, ka miratuar skemat e përgjithshme të një mocioni për të kundërshtuar masat terroriste dhe aventureske të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Të gjithë anëtarët e këtij komisioni të shtunën votuan në favor të përmbledhjeve të përgjithshme të mocionit gjatë një seance të jashtëzakonshme, ku morën pjesë gjithashtu edhe zv/ministrat e jashtëm të RII Abas Erakçi dhe Hasan Kashkavi. Duke folur për gazetarët, z. Erakçi theksoi rëndësinë e miratimit të një mase të përshtatshme në përgjigje të lëvizjeve "armiqësore dhe keqdashëse" të SHBA-së, duke pasur parasysh pasojat e tyre të pafavorshme në zbatimin e marrëveshjes bërthamore që u nënshkrua mes Iranit dhe G 5+1 në korrik të vitit 2015. Ishte një konsensus midis anëtarëve të komisionit rreth mocionit, tha ai dhe shtoi se pas miratimit të tij përfundimtar, Republika Islamike do të japë një përgjigje "të vendosur dhe gjithëpërfshirëse" ndaj lëvizjeve të SHBA. Gjatë takimit të tetë të Komisionit të Përbashkët Iran-G 5+1, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bërthamore, në Vjenë të Austrisë, në fund të korrikut, Irani informoi pjesëmarrësit për rastet e shkeljes së marrëveshjes nga SHBA, tha Erakçi. Ai theksoi se mocioni i Komisionit për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare të Parlamentit islamik të Iranit përfshin masat reciproke të Iranit përballë lëvizjeve amerikane kundër Republikës Islamike. Ky plan parashikon gjithashtu masa për të mbështetur forcat e armatosura të RII dhe forcat e sigurisë si dhe qytetarët e vendit të cilët do të dëmtohen nga veprimet e SHBA, tha zv/ministri i jashtëm i RII.